Një ulërimë e “Nermin hajde” e ngjashme me “Klithmën” e Edvard Munch-ut

Art

Një ulërimë e “Nermin hajde” e ngjashme me “Klithmën” e Edvard Munch-ut

Ilir Muharremi, kritik i artit Nga Ilir Muharremi, kritik i artit Më 8 qershor 2021 Në ora: 21:38
“Klithmën”

“Nermin Hajde, hajde lirisht te serbët...”, është një klithmë e babait Ramo Osmanoviç i cili detyrohet ta thërret të birin nga fashistët serbë të cilët vranë në formë më mizore vet Ramon dhe të birin e tij në Bosnje.  Është kjo skukpturë-instalacion e artistit Mensud Keco. Atë ditë qielli ishte i vluar , kishte marr ngjyrë flakë të verdhë, portokalli dhe në të kuqe. Kjo figurë e këtij babai duket sikur figurë e hermafroditi veshur me një këmishë, thërret të birin. Sytë e tij janë të mëdhenj janë në shok, dhe ai lëshon një britmë të frikshme, pavarësisht asaj nëse e shikojmë skulpturën për herë të parë, ose nuk kemi dëgjuar asgjë për biografinë e saj, çdo gjë është plot ndjenjë horrori të fortë. Goja është qendra kompozicionale e skulpturës prej ku buron klithma, që përkufizohet si thirmë e fuqishme, shpërthim ndjenjash. Thirrje për ndihmë dhe shpëtim ose për vdekje. Në këtë vepër vërehet duke nxjerr nga brendësia terrin dhe helmin, ankthin, tragjizmin, frikën. E meriton të jetë përmendore e  një uni të trazuar.

Atë ditë edhe Zoti nuk ishte me Ramon, dielli perëndoi, shpërthimi i melankolisë vërehet nga goja që nxjerr britmën. Shpirti i tij u përzie me një të kuqe të qiellit të përgjakshme. E veçanta e saj është krijimi i imazhit në pozicionin dhe kompozicion e thirrjes, të zërit i cili dridhet nga ankthi i lodhur i vdekjes. Revolta e kësaj skulpture është pasqyrimi i britmës të cilën mu në ato çaste nuk e dëgjoi veshi i botës e as syri i Zotit. Trupi i Ramos dhe djalit të tij Nermin u gjetën në vitin 2008 në një varrezë masive afër Srebrenicës.

Ngjashmëria me pikturën e artistit të famshëm “Klithma” Edvard Munch

Imazhi i një njeriu që mban kokën e tij duke këlthitur nën një qiell të mbuluar me vija të kuqe të gjakut, qëndron mbi një urë. Veshur me një pallto blu, e cila duket sikur rrjedh, surreale, në një përrua uji, vjollcë dhe blu pas tij, ai e mban fytyrën me dy duart e zgjatura në të dyja anët e kokës së tij pa flokë që ngjan si kafkë. Sytë, goja, britma ankthi ngjajnë me skulpturën “Nermin Hajde”. Ankthi real i shpirtit të njeriut është i njëjtë në brendësi.

““Po ecja rrugës me dy miq. Dielli perëndonte, kur më pushtoi një trishtim i  thellë. Qielli papritmas mori ngjyrën e kuqe të gjakut. U ndalova, u mbështeta në një gardh, i lodhur për vdekje. Pashë retë, që kullonin si gjaku nga shpata. Deti e qyteti u kredhën në një pellg zije. Miqtë vijonin ecjen. Ndërsa unë u ngurrosa nga  ankthi, duke dëgjuar një si britmë të madhe e të pafundme, që përshkonte natyrën. Natyra ulërinte”, shkruan Munch.

Në Kosovë mungojnë skulptura  me kompozicione të fëmijëve, grave, pleqve të luftës së fundit

Zëri i brendshëm i njeriut në momente ankthi, frike është më i fuqishëm se çdo zë tjetër në planet. Artistët duhet të hulumtojnë dhe të prezantojnë kompozicione me imazhe të tilla të thella edhe te ne në Kosovë sepse ato dridhje, ato vibrime reale të këtyre njerëzve, të rikujtohen përmes skulpturës. Këto dhimbje, këto thirje përmes artit duhet t’i dëgjoj bota sepse arti dhe vetëm arti është prezantuesi më i mirë.

Image
“Nermin hajde”
commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat