Deklarata e fuqishme e norvegjezit për Kosovën

Atletika

Deklarata e fuqishme e norvegjezit për Kosovën

Nga: Kemajl Goca Më: 29 dhjetor 2018 Në ora: 10:33
Halil Sylejmani dhe Svein Arne Hansen

Infrastruktura sportive është shqetësimi më i madh në përgjithësi për sportin e Kosovë. Pa infrastrukturë të mirëfilltë është vështirë të kërkohet edhe rezultatet kulminante. Atletika është prej sporteve që ka shqetësime të mëdha, sepse ka vetëm një stadium që ka tartan të atletikës, por jo në nivelin ashtu siç e kërkojnë standardet ndërkombëtare.

Është stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë, që ka tartan të atletikës. Kryetari i Federatës Atletike Evropiane, Svein Arne Hansen, si mik i madh i Federatës Atletike të Kosovës, e tha troç: “Kryeqytetit të Kosovës i duhet një stadium i atletikës”. “Fatkeqësisht ne nuk jemi si UEFA dhe FIFA që t’ju përkrahim financiarisht, përveç në aspektin teknikë.  Prioritet për federatën është stadiumi i atletikës në Prishtinë dhe shpresoj se mund t’i bindim edhe krerët e shtetit tuaj për të ndërtuar një stadium të atletikës”, kishte deklaruar Hansen.

Kjo ka qenë deklarata më e fuqishme e Hansenit për Kosovë dhe që kërkonte më ngulmë që “Mbretëresha e Sporteve” mos të lihet anash nga Qeveria e Kosovës, por të investohet dhe të ndërtohet një stadium, që është i domosdoshëm! Halil Sylejmani, kryetar i Federatës Atletike të Kosovës, ka vite që kërkon një stadium të atletikës, si bazë e fuqishme për përgatitjen dhe zhvillimin e garave dhe që mund të rritet edhe më shumë cilësia.

Jo vetëm me kaq, në prani të Hansenit, Sylejmani e kishte bërë për pesë pare kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasanin, në lidhje për trajtimin që i bëhen Mbretëreshës së Sporteve, madje ia ka numëruar edhe shumë gjëra tjera.

Megjithatë, deklarata e fuqishme e Hansenit, se Prishtinës i duhet një stadium i atletikës, kishte peshën e vet dhe të gjithë shpresojnë se një ditë mund të realizohet, nëse jo në vitin 2019! Viti 2019, për atletikën ka qenë një vit shumë interesant nga shkëlqimi i Musa Hajdarit, fuqishëm rikthehet në skenë edhe atletja Gresa Bakraqi. Kështu që, atletika po rritet në cilësi, por që pret dorën e shtetit që të investojë në infrastrukturë, sidomos në ndërtimin e një stadiumit të atletikës, që është i nevojshëm dhe i domosdoshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat