Hajdari: Të shkosh në luftë pa e përdor armën paraprakisht asnjëherë!

Atletika

Hajdari: Të shkosh në luftë pa e përdor armën paraprakisht asnjëherë!

Nga: Kemajl Goca Më: 20 shkurt 2019 Në ora: 17:00
Musa Hajdari

Atletika është prej sporteve në Kosovë që po ballafaqohet me shumë peripeci, më së keqi që nuk e kanë edhe infrastrukturën sportive ashtu si e kërkojnë rregullat ndërkombëtare! I vetmi shteg me tartan i atletikës që është i kompletuar në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, por që nuk i plotëson kriteret dhe kjo është brengë për të gjithë atletet e atletët.

Është vështirë për atletët e atletet që nuk kanë ku të stërviten dhe më e rënda nuk kanë shteg të atletikës në salla të mbyllura! Musa Hajdari, atlet i KA Roganës dhe i kombëtares së Kosovës, me gjithë kushtet e vështira, shkëlqeu në Stamboll javën që e lamë pas dhe u stolis me medaljen e argjendtë në disiplinën 800 metra në sallat e mbyllura. Ai ka deklaruar për gazetën kombëtare “Bota sot”, se ka qenë një sukses i rëndësisë së veçantë. Është një sukses i madh për atletikën e Kosovës, që ju në 800 metra u stolisët me medalje të argjendtë, çfarë ju veçojë gjatë Kampionatit Ballkanik në sallat e mbyllura?

“Po, është shumë e vërtet (normalisht për ata që dinë të vlerësojnë) për këtë sukses që është i një rëndësie të veçantë, e them këtë pasi që në Kampionatin Ballkanik janë gjithsej 20 shtete, disa prej të cilave gjeografikisht as që bëjnë pjesë në Ballkan, çka e bën një konkurrencë jashtëzakonisht të fortë, ku për t’u futur në zonë për medalje duhet shumë mund.

Çka ishte e veçantë për mua? Fatkeqësisht kisha me veçuar, që në garën e 800 metrave 90% e atletëve kanë ardhur në garë pas një përgatitje të gjatë në salla të mbyllura, në vende të ndryshme, po ashtu shumica e tyre vinin pas 3-4 garave paraprake, ndërkaq unë shkoj atje pa e prek një herë të vetme shtegun në salla të mbyllura, tash analizoni dhe shiheni se sa të barabartë ishim me kundërshtar”, shprehet i revoltuar Hajdari.

“Kjo që e thash më lart ka rendësi edhe i tregon të gjitha, si mund të mos jetë e vështirë të shkosh në luftë pa e përdor armën paraprakisht asnjëherë”, shpreh zhgënjimin ai. Cilat janë synimet për këtë vit? “Si çdo herë punojmë që të bëjmë performancë më të mirë, e njëjta vlen edhe këtë vit, fokusi është në garat në shteg jashtë që fillojnë nga muaji maj”, theksoi ai.

Hajdari fokusin e ka më shumë në disiplinën 800 metra: “Në 800 metra është fokusi, mirëpo sigurisht që do të tentoj diçka më te veçantë nga fundi i vitit në 1500 metra”. Atleti më i mirë në vendin tonë ankohet për kushtet. “Kushtet janë jashtëzakonisht keq! Nuk kemi shteg të atletikës në Kosovë që i plotëson kushtet për gara. Përgatitjet organizohen njëjtë si për atletin që sjellë medalje si për fëmijët që ende nuk din për çka ka ardhë, kjo është shqetësuese për ne”, është shprehur i shqetësuar Hajdari.

A ka vështirësi të shumta, pasi që pa shteg të atletikës me tartan stërviteni çdo ditë? “Normalisht që po, se garat të gjitha i kemi në shteg. Duhet investim në të, nga të gjithë ata që presin diçka prej atletit, të gjithë njerëz janë po dallojnë kushtet e tyre me neve”, përfundoi Hajdari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat