Përmbyset vendimi i CAS, Semenya fiton betejën ligjore me IAAF-in

Atletika

Përmbyset vendimi i CAS, Semenya fiton betejën ligjore me IAAF-in

Më: 3 qershor 2019 Në ora: 20:09
Caster Semenya

Caster Semenya ka fituar sot betejën ligjore me Federatën Ndërkombëtare të Atletikës (IAAF) dhe mund të garojë normalisht në garën e 800 metrave. Të paktën për momentin. Gjykata Federale Supreme e Zvicrës ka përmbysur sot vendimin e CAS-it, duke i dhënë të drejtë atletes 28-vjeçare.

Atletja nga Afrika e Jugut, dy herë kampione olimpike në këtë distancë, nuk është e detyruar të marrë mjekime për të ulur nivelin e testosteronit. Një muaj më parë, CAS (Gjykata e Arbitrazhit Sportiv) në Lozanë i pat dhënë të drejtë IAAF-it në lidhje me përdorimin e medikamenteve, por sot gjërat kanë marrë një tjetër rrjedhë.

Gjykata Federale Supreme e Zvicrës ka marrë vendimin për të pezulluar përkohësisht rregullin e vendosur nga IAAF. Federata Ndërkombëtare e Atletikës kërkonte përdorimin e medikamenteve nga ana e sportisteve femra të garave 800 dhe 1500 metra, të cilat kishin nivel të lartë testosteroni (ua prodhonte vetë trupi). Sipas IAAF-it, kjo i favorizonte këto atlete në garë.

Pas vendimit, Semenya tha: “Shpresoj që tani e tutje të kem mundësi të garoj e lirë. I jam mirënjohëse gjykatësve zvicerane për këtë vendim. Unë po luftoj për të mbrojtur të drejtat njerëzore”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat