Bakraqi: Duhet gjithmonë të luftojë me veten

Atletika

Bakraqi: Duhet gjithmonë të luftojë me veten

Nga: Kemajl Goca Më: 4 korrik 2019 Në ora: 10:30
Gresa Bakraqi

Sportistet ballafaqohen me peripeci të shumta në vendin tonë, ku ju mungojnë kushtet e mirëfillta për punë. Atletja më e mirë në vendin tonë, Gresa Bakraqi, anëtare e KA Besa nga Peja dhe e kombëtares së Kosovës, tregon se krahë të fortë e ka familjen dhe dajën e saj.

Image

“Bota sot”: Jemi në ditët e para të korrikut, sa është vështirë për një atlete të stërvitet në këtë vapë të madhe? 

Gresa Bakraqi: Është shumë e vërtetë që temperaturat e tanishme janë rritur shumë dhe se është shumë vështirë për t’i mbaruar stërvitjet. Momentalisht jam në përgatitje verore në Mal të Zi, ku aty deri tani me janë bërë 16 ditë qëndrim por kam edhe 10 ditë tjera që do të vazhdoj përgatitjet.

“Bota sot”: Ku stërviteni më shumë, në cilat vende malore?
Gresa Bakraqi:
Tani jam në Zhablak, stërvitjet i bëj në malin e Durmitorit në lartësi mbidetare 1500 deri 1909 metra në Mal të Zi. 

“Bota sot”:  Deri me tash keni zhvilluar disa gara brenda dhe jashtë vendit në disiplinat e mesme, si e vlerësoni këtë edicion?
Gresa Bakraqi:
Fatkeqësisht këtë vit kemi shumë mungesë të garave ndërkombëtare. Jam në formë të mirë por që s’kam pasur akoma gara ta tregoj formën. Këto rajonalet nuk janë në nivelin tim sepse kërkoj rezultat dhe rezultatet arrihen me konkurrencë. Jam në përgatitje intensive për ligën e 3-të që do të mbahet me 10-11 gusht në Shkup, ku atje do takohem me atlete të rangut tim. Besoj e shpresoj se do të jetë dita ime dhe të tregoj përformancë aq të mirë sikur stërvitjet që po i bëjë.

“Bota sot”: Për cilën garë po përgatiteni më shumë?
Gresa Bakraqi:
Liga e 3-të siç e ceka më lart dhe Ballkaniada që do të mbahet në fillim të shtatorit në Bullgari.

“Bota sot”: Në cilat disiplina do të merr pjesë dhe çka synoni?
Gresa Bakraqi:
Në dy gara do të marrë pjesë 800-1500 metra, kuptohet që synoj rezultat sepse për atë po stërvitem. Këtë vit kam pas një garë 600 metra, ku me garën e parë kam arrit rekord shtetëror dhe shpresoj që të vazhdoj po të njëjtën nivel dhe të arrij atë që dëshiroj.

“Bota sot”: A kemi rritje të cilësisë në Kosovë, sidomos në disiplinat tuaja?
Gresa Bakraqi:
Me keqardhje e them, jo! Jam e vetme gjatë gjithë kohës në garë, duhet gjithmonë të luftojë me veten, sepse unë nuk kërkoj plasman por po kërkoj rezultat dhe në disiplinat e mija fatkeqësisht në Kosovë nuk po e gjejë atë konkurrencë që më duhet, me duhen më shumë gara ndërkombëtare që të kemi mundësi të nxjerrin gjithë atë limitin tim.

“Bota sot”: Është votuar ligjin për sponsorizimin e sportit, a shpresoni se tani e tutje do të jetë më mirë për ju si atlete?
Gresa Bakraqi:
Po, këto ditë e kam marr lajmin që është votuar ligji, shpresoj që do të jetë e mirë jo për atlet po për gjithë sportistët sepse të financohesh vet gjatë gjithë kohës është shumë e vështirë, këtë gjë po e bëjë me vite, dhe nuk po e bëj veç për Gresën si person po për Kosovën.

Prandaj, shpresoj që të kemi edhe unë mbështetje financiare që të me lehtësohet sadopak puna për të arritur suksese, sepse s’jam vetëm unë pjesëtare e familjes që gjithë familja të përkujdeset për nevojat e mija për këtë sport. Familja ime si dhe dajat e mi në Norvegji posaçërisht daja Nexhdet Mulla i cili është krahu im i djathtë, është duke e bërë maksimumin për mua që të vazhdoj në këtë sport, ku ndonjëherë them me vete: Familja ime po e luajnë rolin e institucioneve dhe të shtetit pa asnjë përfitim, thjesht që unë të përfaqësoj Kosovën sa më mirë që është e mundshme nga një atlete.
 
Bota sot”: Çfarë janë kushtet në klubin tuaj, Besa e Pejës?
Gresa Bakraqi:
Shumë keq, nuk kemi asnjë përfitim as nga komuna as nga shteti.
“Bota sot”: A shpresoni se do të jetë edicioni më i mirë për ju dhe a keni hequr dorë nga garat 10.000 metra?
Gresa Bakraqi:
Nuk e di akoma, vetëm se formën e kam shumë më të mirë se vitin që shkoj. Vitin që shkoj ishte një super vit i suksesshëm, shpresoj edhe këtë vit të kem fatin e njëjtë, se sa i përket stërvitjeve me të vërtet jam disa nivele me lartë.  

Garat 10 kilometra i mendoj për më vonë, sepse fokusin e kam më shumë në 800 dhe 1500 metra, kam dëshirë të sjellë medalje ndërkombëtare nga këto disiplina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat