Kryeziu: Kam pritur shumë më shumë 

Atletika

Kryeziu: Kam pritur shumë më shumë 

Nga: Kemajl Goca Më: 15 gusht 2019 Në ora: 16:10
Kryeziu: Kam pritur shumë më shumë 

Atletika ka ngritje të nivelit në vitet e fundit dhe më së miri e dëshmojnë edhe rezultatet që po arrijnë atletët tanë në disiplinat e ndryshme, siç është edhe rasti i fundit i talentit 16-vjeçar Muhamet Ramadani në disiplinën teknike përkatësisht hedhjes së gjyles, ku zuri vendin e parë në Festivalin Olimpik Evropian për të rinj në Baku.  Atleti më i mirë në vendin tonë në shtigjet e shkurtra, Astrit Kryeziu,  e vlerëson si edicion të mirë, por jo në pritshmëritë e tija. Anëtari i KK Rogana dhe kombëtares së Kosovës, ka pasur disa telashe me lëndime dhe nuk ka arritur të shënojë rezultatet e parashikuara. 

“Bota sot”: Si e sheh vitin 2019, a është një vit i suksesshëm?
Astrit Kryeziu:
Si në çdo aspekt të jetës edhe jeta sportive ka ngritje dhe rënie. Unë personalisht këtë vit kam pritur shumë më shumë duke pasur parasysh formën në fillim të vitit, mirëpo e ceka edhe më herët se disa gjëra të vogla apo disa lëndime që kanë ndikuar në procesin stërvitor dhe kështu edhe rezultatet nuk janë në nivelin e duhur.

“Bota sot”: Çka e ka veçuar më shumë këtë vit?
Astrit Kryeziu:
Të them të drejtën nuk kisha dashur të veçoj asgjë, edhe meqenëse për shumë vite radhazi ne me këto kushte që i kemi, me vështirësitë e shumta kemi arritur që së paku çdo vit të jemi me një nivel të lart, që është e vështirë me kushtet që punojmë.

“Bota sot”: Çfarë i duhet më shumë atletëve?
Astrit Kryeziu:
Ne shumë herë kemi diskutuar, kemi dhënë deklarata që në sport nuk është vetëm infrastruktura, mirëpo janë edhe shumë gjëra të tjera duke përfshirë paga për sportistët, sponsor, fizioterapeutët, etj.

“Bota sot”: Me cilat vështirësi po ballafaqoheni më së shumti si atlet i shtigjeve të shkurtra?
Astrit Kryeziu
: Po, realisht lëndimet që vijnë kohë pas kohe nuk po mundemi të rikuperohemi shpejt e po besoj një tretman i shpejt dhe profesional, për gjërat tjera normal këto janë zinxhir: ushqimi, vitaminat e ndryshme, përgatitjet apo kampet. 

“Bota sot”: Cilat janë synimet tuaja?
Astrit Kryeziu:
Tani vetëm se jemi në fund të sezonit dhe po shpresojmë që të fillojmë përgatitjet për sezonin e ardhshëm.

“Bota sot”: A mendoni se ka rritje të nivelit dhe konkurrencës në disiplinën tuaj, 400 metra?
Astrit Kryeziu:
Realisht disiplina ime nuk është 400, mirëpo 400 na ndihmon për disiplinën 800 metra dhe ndonjëherë si test për me vazhduar tutje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat