Histori për gjeneratat e reja rreth Federatës Atletike të Kosovës! Pas 4 (katër) mbledhjeve të njëpasnjëshme të datës 25. 10.1990, data 30.10.1990, data 12.12.1990 dhe asaj të 10.01.1991 përkundër rezistencë tonë organet e dhunshme serbe e morën në mënyrë të paligjshme dhe të imponuar subjektivitetin e Lidhjes Atletike të Kosovës.
Në foto procesverbali i mbledhjes së parë të SHPK në të cilën u zgjodhë kryesia!
Kështu duke e integruar në Lidhjen për Kulturë Fizike të Serbisë, përkatësisht në Lidhjen Atletike të Serbisë. Siç e kemi thënë edhe herën e kaluar ata që dëshiruan mbeten me organin serb. Ndërsa, Ne anëtarët e vijës shtetërore kosovare nuk u dorëzuam dhe filluam një rezistencë tjetër duke krijuar organet tona sportive paralele.
Pasi që nga organet legjitime të Republikës së Kosovës kishin krijuar institucionet paralele përkatësisht, Bashkimin e Shoqatave të Pavarura Sportive të Kosovës, edhe Ne nga profili i atletikës me dt, 21.09.1991, kemi mbajtur kuvendi themelues për formimin Shoqatës së Pavarur të Atletikës në Kosovë. Në këtë mbledhje është zgjedhur kryesia e Shoqatës Atletike të Kosovës në këtë përbërje:
1. Miftar Haklaj nga FKF Kryetar
2. Halil Sylejmani Prishtinë, Nënkryetar
3. Ramadan Beshiri, Prishtinë, Sekretar
4. Mustaf Rrustemi, Mitrovicë, anëtarë
5. Fehmi Lahu, Vushtri, anëtarë
6. Gëzim Kryeziu, Prizren, anëtarë
7. Agron Muçaku, Gjakovë, anëtarë
8. Bashkim Restelica, Podujevë, anëtarë
9. Vjollca Osmanaj, Pejë, anëtare.
Prej kësaj periudhe të gjitha garat e atletikës i kemi mbajtur nëpër livadhe në fshatrat e ndryshme të Kosovës. Sepse pushtuesit serbë na konsideronin si organe paralele. Shtigjet e atletikës, si p.sh.në Mitrovicë, nuk kemi mundur t’i shfrytëzojmë për arsye të okupimit nga organet e dhunshme serbe.
Me dt, 08.05.1992, është mbajtur mbledhja e kryesisë të Shoqatë së Pavarur të Atletikës në Kosovë në të cilën është marrë vendim unanim që Halil Sylejmani të jetë Kryetar i Shoqatës Atletike të Kosovës, për shkak se z. Miftar Haklaj nga obligimet tjera që kishte nuk ka marrë pjesë asnjë herë në mbledhjet e kryesisë së Shoqatës. Kështu barrën e zhvillimit të sportit të atletikës gjatë viteve të nëntëdhjeta deri në fillimin e luftë më 1998 e ka bartë kjo kryesi dikush më pak e dikush më shumë.
Mbas mbarimit të luftës, (pra pas qershorit 1999)sikurse në të gjitha sferat e jetës, në mënyrë graduale edhe atletika kosovare fillojë ta marrë veten. Së pari ramë në kontakt ne anëtarët e kryesisë të FAK-ut, trajnerë, atletë dhe punëtorë sportivë. Vlerësuam pasojat e luftës dhe morëm lajmin që gjatë luftës për çlirimin e Kosovës kishin rënë dëshmorë në altarin e lirisë edhe disa atletë nga klubet e atletikës “Llapi” nga Besiana dhe nga klubi i atletikës “Juniku”, me ç’rast edhe i nderuam të rënët. Në mbledhjen e parë filluam të organizohemi pasi që statusin e federatës, rregulloren e punës së kuvendit, propozicionet e garave, anëtarët e kryesisë, kryetari i kryesisë, sekretari, të gjitha ekzistonin ose thënë me një fjalë nga aspekti organizativ juridik dhe statutor ekzistonin organet për të filluar punët e Federatës. Morëm informata që në disa klube vetëm sa kanë filluar përgatitjet e tyre fizike dhe organizative, ndërsa për klubet të tjera u vendos që të bëhen përpjekje që edhe ato të nxiten për punë. Sa i përket kalendarit të garave u morëm vesh që, sipas mundësive, nëse paraqitet nevoja të pësojë ndryshime.
Për periudhën pas vitit 2000 nuk kam çka të shtoj asgjë sepse çdo gjë dihet!