Atletët e Malishevës ankohen, 100 kilometra rrugë për një stërvitje

Atletika

Atletët e Malishevës ankohen, 100 kilometra rrugë për një stërvitje

Nga: Kemajl Goca Më: 19 janar 2020 Në ora: 14:10
Stadiumi në Malishevë

Një numër i madh i klubeve në disiplinat e ndryshme sportive veprojnë në kushte të vështira, por ka prej tyre që edhe stërvitjet i zhvillojnë jashtë qytetit dhe në një largësi deri në 100 kilometra.

Klubi i atletikës Malisheva po ballafaqohet me peripeci të ndryshme, por më së shumti e godet edhe zhvillimi i stërvitjeve jashtë Malishevës dhe duhet të bëjnë rrugë të gjatë e të mundimshme.  Trajneri i këtij klubit, Adrian Mazreku, është ankuar për vështirësi që kanë në zhvillimin e stërvitjeve sepse ende nuk ka përfunduar rregullimi i shtegut në stadiumin “Liman Gegaj”.

“Atletët e klubit të atletikës Malisheva për të bërë një stërvitje në shteg të atletikës në kushte të garës po udhëtojnë 100 kilometra. Kjo po ndodhë për shkak se shtegu i atletikës në stadiumin ‘Liman Gegaj’ në Malishevë nuk u përfundua tani e tri vite. Mbesim me shpresë që vitin 2020 të përfundohet ky shteg”, tha për gazetën kombëtare “Bota sot”, Adrian Mazreku, trajner i KA Malishevës.

Image

Atletët e Malishevës

Sa është e mundimshme të stërvitni 100 kilometra larg qytetit tuaj, si dhe a e ndihmon ndokush klubin?

“Udhëtojmë zakonisht në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ por edhe aty është problem me shfrytëzu çdo here shkaku i ndeshjeve dhe kemi vështirësi edhe për udhëtim sepse ka kosto. Komuna e Malishevës na ndihmon financiarisht për gjëra elementare për stërvitje, gara dhe pajisje por mungesa e shtegut është jetike”, përgjigjet Mazreku.

Sa i përket ngecjes së rregullimit të shtegut, Mazreku tha: “Në Malishevë ka filluar të ndërtohet shtegu tani e tri vite dhe është ndërtuar bazamenti me asfalt por ka mbetur pa u vendos materiali sintetik i quajtur tartan, i cili kushton rreth 150 mije euro dhe me këtë rast në këtë stadium mund të zhvillohen garat vendore.

Këtë vit pritet të rinovohet stadiumi olimpik ‘Adem Jashari’ dhe atletika do të mbetet pa gara sepse është i vetmi shteg në Kosovë, andaj është e domosdoshme përfundimi i shtegut në Malishevë që atletika të zhvilloi garat. Shuma prej 150 mije euro për Qeverinë qendrore është shumë e vogël por për qeverinë komunale është e madhe, andaj kërkojmë ndihmë nga Qeveria qendrore”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat