Gega: Unë kam një muaj në Kenia, erdha në një moment pak delikat

Atletika

Gega: Unë kam një muaj në Kenia, erdha në një moment pak delikat

Më: 19 prill 2020 Në ora: 16:15
Gega: Unë kam një muaj në Kenia, erdha në një moment pak delikat

Luiza Gega është një nga sportistet më të njohura të Shqipërisë, që i ka falur shumë krenari popullit tonë me arritjet e saj. Medaljet nuk i kanë munguar në karrierën e saj si atlete, pavarësisht se kushtet për t’u stërvitur nuk kanë qenë njësoj si koleget e tjera në mbarë globin. Lojërat Olimpike ishin synimi i saj i radhës, por situata kaotike e krijuar nga Covid-19 ka bërë që të shtyhen për vitin tjetër.

Ndërkohë Gega zbulon se kishte shkuar në Kenia për t’u përgatitur për Lojërat Olimpike, por mbyllja e kufijve ka bërë që të qëndrojë e ngecur aty për rreth një muaj.

Koronavirusi patjetër që i ka prishur tërësisht planet e saj, megjithatë atletja shqiptare tregon për “Ora TV” se po e shfrytëzon qëndrimin e saj në vendin afrikan për të kryer një fazë përgatitore.

Gega tregon se do të qëndrojë në pritje të situatës, e cila nëse nuk do të shfaqë shenja përmirësimi, atëherë do i duhet të kontaktojë me shtetin shqiptar për të gjetur një mënyrë që të kthehet në shtëpinë e saj.

“Për momentin çdo gjë është mirë falë Zotit. Unë kam një muaj në Kenia. Erdha në një moment pak delikat. Unë erdha këtu kur Lojërat Olimpike ende nuk ishin anuluar dhe objektivi im ishte të përgatitesha për to. Gjithçka ndryshoi një javë pasi unë erdha. Lojërat Olimpike u shtynë për në vitin 2021 dhe unë në një farë mënyre kam ngecur këtu, duke qenë se të gjitha fluturimet në gjithë botën janë anuluar. Kështu që nuk e di kur mund të kthehem. Edhe këtu kanë marrë masa. Kanë mbyllur stadiume, palestra dhe nuk lënë grupe të mëdha atletësh të stërviten së bashku. Pra ka një distancim sigurisht, si në të gjithë botën. Por që e vetmja gjë e mirë është se këtu ka rrugë pa mbarim dhe le të themi mundohemi ta kryejmë atë stërvitjen edhe pse jo në mënyrën 100% si duam.

Për momentin ende nuk kam kontaktuar me shtetin shqiptar, duke qenë se kam pritur çdo ditë për të parë si do shkojë situata. Meqenëse erdha këtu po vendosa të bëj një mini-fazë përgatitore. Megjithatë ende nuk e dimë se kur mund të kemi gara dhe kur mund të fillojmë aktivitetet dhe kjo është një tjetër stres psikologjik për momentin, sepse vetëm po stërvitemi. Por është e vështirë të gjejmë atë motivimin 100%, sepse ende nuk e dimë kur do fillojmë garat.

Prandaj nuk kam bërë një kërkesë për rikthim dhe do pres edhe pak ditë të shoh se si do shkojë situata. Nëse vazhdon e njëjtë do mundohem shumë të gjej një mënyrë për t’u rikthyer. Pjesa më e madhe e sportistëve janë rikthyer në shtëpitë e tyre, megjithëse ka dhe nga ata si unë që kanë ngecur këtu”, ka thënë Luiza Gega.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat