“Vrapimi i Shqipes nga Skënderbeu në Skënderbe”, rrugëtimi i ri i Fikret Shatrit

Atletika

“Vrapimi i Shqipes nga Skënderbeu në Skënderbe”, rrugëtimi i ri i Fikret Shatrit

Më: 28 qershor 2020 Në ora: 12:23
Fikret Shatri

Sportisti dhe atleti i njohur, Fikret Shatri ka vendosur që të realizojë një rrugëtim sfidues nga Prishtina në Tiranë.

Shatri ka vendosur që të vrapojë 275 kilometra me moton “Vrapi i shqipes nga Skënderbeu në Skëndërbe”.

Ai në një intervistë për KosovaPress, ka treguar më shumë detaje rreth këtij vrapimi, duke bërë të ditur se si ka ardhur deri te ideja për të realizuar një rrugëtim të tillë.

Sipas tij, pas vrapimit që ka bërë nga Prishtina në Istog ka marrë vendim që të provojë edhe një vrapim më të gjatë, duke vendosur për vrapimin prej kryeqytetit të Kosovës në atë të Shqipërisë.

Shatri: Jam zotuar të realizoj këtë vrapim

“Pas realizimit të vrapit Prishtinë – Istog, ia pata bërë një zotim që të realizoj këtë vrap. Ka qenë e momentin sidomos pas intervistë në Top Channel, iu thash se e kam synim me realizuar Prishtinë – Tiranë, prej Skënderbeut në Skënderbe, simbolikë më të madhe s’ka, kështu që ka qenë momentale, mirëpo që daton nga një kohë të gjatë sepse kam planifikuar me bë me biçikletë, mirëpo ja që nuk e bëra me biçikletë, por do ta bëj në këmbë nga Prishtina në Tiranë, 257 kilometra”, tha fillimisht ai.

Shatri tregoi se do të jetë në përcjellje nga një ekip gjatë gjithë këtij rrugëtimi. Sipas tij, ai është i përgatitur si fizikisht dhe mentalisht për të kryer me sukses këtë vrapim.

Shatri: Jam përgatitur fizikisht

“Do të kem përcjellje një ekip që do të më përcjell gjatë gjithë kohës dhe me ta do të pajisim makinën me ushqimet e nevojshme për me përballu masën 70-80%, por që e gjithë kjo në plan të parë është distancë shumë e gjatë, por që përgatitja mentale është shumë e rëndësishme. Do të thotë mentalisht kur e rrumbullakon një gjë çfarëdo qoftë ajo, atëherë edhe fizikisht e përballon”, shtoi tutje Shatri.

Ish-trajneri i klubit basketbollistik Prishtina, ka pranuar edhe një ndihmë nga Komiteti Olimpik i Kosovës, ndihmë të cilën Shatri e cilësoi si modeste duke parë edhe shpenzimet që i ka ky vrapim.

Shatri: Për t’u nisur 257 kilometra, minimum duhet t’i kesh dy palë atletet të mira

“Normalisht që më vjen mirë, është një ndihmë modeste. Për mua është shumë e rëndësishme sepse e kam planifikuar me u nis veç vet dhe me shpenzimet të mia. Mirëpo këto shpenzime nuk i mbulojnë ato shpenzimet të cilat i ka ky vrap sepse për t’u nisur 257 kilometra, minimum duhet t’i kesh dy palë atletet të mira”, tha ai.

Ndërkohë sa i përket vështirësive, Shatri tha se i ka paraparë të gjithë ato, mirëpo e ka përgatitur vetën si fizikisht ashtu edhe në aspektin mental që mund t’i kalojë të gjithë ato për të realizuar këtë vrapim. Ai gjithashtu shtoi se gjatë gjithë këtij vrapimi do të këtë afër veti dy figurat e rëndësishme të kombit tonë, Adem Jasharin dhe Gjergj Kastrioti – Skënderbeun.

Shatri: Do t’i përballoj të gjitha vështirësitë

“Janë një mori vështirësi mirëpo çdoherë kur e bëjë një lloj algoritmi të kësaj se çfarë dua të bëj unë, do të thotë hynë, vrap si vrap, ushqimi si ushqim, lëngjet si lëngje, gazrat që lirojnë makinat, pastaj temperatura e lartë, terri i natës gjithë këto janë por algoritmi përfundimtar i mendjes time thotë që të gjithë këto duhet t’i përballosh... Edhe Adem Jasharin e kam kështu që do të më përcjellë gjatë tërë kohës, edhe Skënderbeu dhe Adem Jashari, dy figurat më të rëndësishme të kombit tonë, kështu që kur i kam ata me veti edhe unë do ta përballojë shumë më lehtë”, tha Shatri.

Ndërkohë që Shatri ditët e fundit ka pasur edhe një takim me ambasadorin e Shqipërisë, Qemajl Minxhozin, ku ka marrë premtimin se do të pritet nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta në momentin e arritjes së tij në Tiranë.

Shatri: Jam i nderuar që do më pret presidenti Ilir Meta

“Isha në takim me ambasadorin Minxhozin, të cilin e falënderoi për një mikpritje më shumë se të përzemërt. Kuptohet se vëllau gjithmonë të pret mirë dhe e di që vëllezërit e mi në Shqipëri kanë me më prit mirë, kanë me duartrokit dhe kam premtim që do të më pret edhe presidenti Ilir Meta”, tha Shatri.

Kujtojmë që Shatri për këtë vrapim do të niset më 2 korrik nga sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë, me fillim në ora 18:00, derisa në Tiranë pritet të arrijë më 4 korrik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat