Mes lotësh, Klodiana Shala...

Atletika

Mes lotësh, Klodiana Shala...

Më: 19 nëntor 2020 Në ora: 12:52
Mes lotësh, Klodiana Shala...

Klodiana Shala është një ndër sportistet më të mira në Shqipëri të vrapit. Por prej vitit 2012, atletja është larguar përgjithmonë nga pista e vrapimit për shkak të një operacionit që bëri në shtyllën kurrizore.

Gjatë një interviste së fundmi, mes lotësh Klodiana Shala rrëfeu se ky ishte momenti më i vështirë të jetës së saj, pasi i kushtoi karrierën.

Ajo tregoi se pati një dëmtim gjatë stërvitjes në Shqipëri dhe për 2 muaj bëri terapi të ndryshme. Më pas u nis drejt Londrës, ku edhe do të merrte pjesë në Lojërat Olimpike por nuk ia arriti dot.

Një ditë para garës sportistja shfaqi probleme shëndetësore, ku gati u paralizua. Ajo u mor me barelë  dhe u dërgua në spital, ku iu nënshtrua edhe një ndërhyrje në shtyllën kurrizore.

“Momente te vështira të gjithë kanë jashtëzakonisht shumë, pafund. Siç kam kaluar me mamin, por sakrifica e madhe që e kam përjetuar ka qenë 2012 kur unë u largova nga sporti. Nuk u largova me dëshirën time. Kisha një vit të tërë sakrificë që isha në një fazë përgatitore.

Një stërvitje pafund, 8 orë në ditë stërvitje. Regjimi ishte që të flija gjumë në orën 7 të darkës dhe zgjohesha në 7 të mëngjesit. Nuk takoja njeri nga familja sepse isha e grumbulluar për të marrë pjesë në lojërat Olimpike Londër 2012. Pasi kapa normën që ishim 15 sportistet më të mira në botë, isha edhe unë në 200 metra, që është gara e shpejtësisë dhe pata një dëmtim. Vuajta shumë në fakt 2 muaj në Shqipëri, nuk lashë doktor pa shkuar, fizioterapistë. Më bënë shumë gjilpëra, njëri thoshte gjuri, tjetri kofsha, tjetri mesi. Mbas dy muajsh terapi të ndryshme u nisa për në Londër. Shkoj aty dhe një ditë para garës time, zëre se u paralizova. Më morën me barelë dhe aty pata një operacion në shtyllën kurrizore ku e vuajta mbrapa, por vështirësia ishte që lashë sportin. Dhe e lashë në momentin kur isha në kulm por jeta vazhdoi. Një e keqe ka një të mirë, pata fatin që më operuan tre doktorët më të mirë të botës sepse isha në Lojërat Olimpike. Pas operacionit qëndrova disa ditë në Londër, pastaj u ktheva në Shqipëri dhe aty ishte fundi i karrierës sime. Ishte viti gushti i 2012-tës,”- tha Klodiana Shala e ftuar në “ABC News”.

Sportisja tregoi se dëmtimi i erdhi për shkak të mungesës së kushteve për tu stërvitur.

 “Unë vrapoja gjatë gjithë kohës tek Liqeni dhe për efekt të problemit në shtyllën kurrizore, si edhe operimit dy herë në gju ka qenë problematika sepse jam dëmtuar nga goditjet gjatë vrapimit në asfaltit në Liqen. Shumë sakrifica kam bërë. Pjesë financiare më ka mbuluar familja dhe jo sporti,”- rrëfeu ajo. /Panoramaplus.al.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat