Atletika i rikthehet normalitetit

Atletika

Atletika i rikthehet normalitetit

Më: 24 nëntor 2020 Në ora: 18:43
Atletika i rikthehet normalitetit

Pas një viti vërtet shumë të vështirë për “mbretëreshën e sporteve” atletika bëhet gati për t’iu rikthyer normalitetit, të paktën këtë kanë parashikuar drejtuesit e Federatës Ndërkombëtare të këtij sporti, teksa krerët e IAAF-it hartuan edhe programin për sezonin e ardhshëm në Diamond League.

Sezoni i 2020 konsiderohet si një ndër vitet më të pazakontë në historinë e atletikës, natyrisht për shkak të pandemisë së koronavirusit, sidoqoftë gjithcka pritet të ndryshojë në edicionin e ardhshëm, që sic dihet do të kulmojë me Lojërat Olimpike Verore të Tokios. Diamond League përfaqëson një ndër aktivitetet më të rëndësishme në kalendar dhe gjithcka është llogaritur të përmblidhet në 14 gara gjithsej.

Krejt ndryshe nga vitet e tjera këtë herë organizatorët e këtij kompeticioni kanë menduar që gjithcka të marrë udhë në Marok, më datë 23 maj. Më parë ishte shndërruar në traditë që aventura e atletëve në Diamond League të niste në Lindjen e Mesme, në Katar, sidoqoftë edicioni i ri i këtij aktiviteti këtë herë do të fillojë në kryeqytetin e Marokut, në Stadiumin Prince Moulay Abdellah në Rabat, ndërsa Qatar Stadium në Doha është prenotuar për mitingun e dytë të vitit 2021, vetëm pesë ditë më vonë. Në Mbretërinë e Bashkuar është përzgjedhur sërish Londra, ndërkaq vitin tjetër nuk do të zhvillohen gara në Gateshead.

Kryeqyteti britanik do të presë ditën e martë garën e 13 korrikut, pra garën e fundit të fazës së parë të sezonit, sepse sic dihet nga 23 korriku deri më datën 8 gusht në Japoni do të zhvillohet Olimpiada e 32.

Ndryshe nga herët e tjera sipas kalendarit provizor mitingu londinez është programuar të mbahet në mesjavë, ndërsa garat në Gateshead që priteshin të mbaheshin për herë të parë që nga viti 2010 janë fshirë fare nga lista e përkohshme që aprovuan krerët e Diamond League-s. Mitingu i Londrës është përcaktuar të mbahet 10 ditë para Olimpiadës së Tokios dhe menjëherë pas mbylljes së fazës finale të kampionatit të ardhshëm evropian të futbollit, por gjithashtu organizatorët kanë bërë një zgjedhje të tillë për të evituar një përplasje të mudshme me finalet e Ëimbledon-it, apo qoftë edhe Cmimin e Madh të Britanisë në Formula 1.

Qyteti i Përjetshëm do të ketë privilegjin për të pritur mitingun e parë në Kontinentin e Vjetër dhe garat e Romës do të zhvillohen më datën 4 qershor. Gjatë muajit qershor do të zhvillohen vetëm dy mitingje gjithsej dhe pas Italisë stacioni I radhës do të jetë më 10 qershor në Norvegji, në Stadiumin Olimpik të Oslos, ndërsa në fillimin e muajit tjetër, në datat 4 dhe 9 korrik janë programuar respektivisht garat në Stockholm dhe Montecarlo.

Pas Lojërave Olimpike të Tokios gjithcka do të rikthehet në Lindjen e Largët me Mitingun e Shangait më datë 14 gusht dhe pas garave në Juxhin, Lozanë, Paris e Bruksel edicioni i ardhshëm i Diamond League-s do të mbyllet me finalet e sezonit në Zyrih, në stadiumin e famshëm Letzigrund, në datat 8 dhe 9 shtator.

Kalendari mbetet provizor dhe natyrisht gjithcka do të jetë në varësi të situatës dhe gjendjes globale, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat