Izmir Smajlaj, gati për të synuar çatinë e Europës dhe të Botës

Atletika

Izmir Smajlaj, gati për të synuar çatinë e Europës dhe të Botës

Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 19:36
Izmir Smajlaj, gati për të synuar çatinë e Europës dhe të Botës

Në një periudhë ku vëmendja më e madhe është tek futbolli, sportet individuale po provojnë të sjellin lavdinë në vend. Atletika shqiptare ka fatin e madh që në gjirin e vet ka një atlet premtues, Izmir Smajlajn, i cili i ka sjellë vendit një medalje të artë, duke u shpallur “mbreti” i Europës, pikërisht në Beogradin jo shumë dashamirës, në vitin 2017.

Pandemia globale e këtij viti është fatkeqësia më e madhe, por diçka e tillë nuk mund të thuhet me gojën plot, pasi Izmirit i ka buzëqeshur fati. 27-vjeçari pësoi një dëmtim në menisk, duke u detyruar t’i nënshtrohej operacionit, një ndërhyrje që, nëse situata do të ishte normale, do të bënte që të humbiste pjesëmarrjen në eventet më të rëndësishme, Europian, Botëror dhe Olimpiadë.

Tashmë i rikthyer në formën e tij më të mirë, shkodrani po tenton rikuperimin e plotë në mënyrë që në muajin mars të jetë gati për të pushtuar kontinentin në fillim dhe më pas globin.

Në mars 2021, në Poloni, zhvillohet Kampionati Europian, ndërkohë që një javë më pas, në Kinë, është radha e Botërorit. Këto dy evente do të paraprihen nga Ballkaniada, në shkurt, një turne që vlen më shumë për të ngrohur muskujt. Kulmi do të jetë në gushtin e verës së ardhshme, ku në Japoni do të zhvillohen Lojërat Olimpike, ku edhe aty objektivi është i njëjtë, triumfi final.

Periudha pas operacionit ka shkuar më së miri për Smajlajn, që ka filluar fuqishëm përgatitjet, në fillim me një muaj të plotë në Qafshtamë dhe për dy javë në Bullgari, aty ku do të shkojë sërish në janar. Fillimi i mbarë është gjysma e punës dhe duket se viti 2021 do të jetë viti i shkodranëve në sport.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat