Sportistja e njohur shqiptare, tregon si u dashurua me trajnerin që e shndërroi në kampione

Atletika

Sportistja e njohur shqiptare, tregon si u dashurua me trajnerin që e shndërroi në kampione

Më: 7 gusht 2021 Në ora: 18:43
Sportistja e njohur shqiptare, tregon si u dashurua me trajnerin që e shndërroi në kampione

E gjithë Shqipëria këto ditë ishte me sy e zemër te Luiza Gega, atletja shqiptare që zbriti në pistën e stadiumit të Tokios për finalen e madhe në garën e 3000 metrave me pengesa.

Në fund ajo u rendit në vendin e 13-të, me kohën 9:34.10. Bëhet fjalë për një event historik për atletikën tonë, pasi për herë të parë një atlete nga Shqipëria mori pjesë në finalen e Lojërave Olimpike.

Luiza Gega arriti të siguronte një vend mes 15 atleteve më të mira të botës, falë një paraqitjeje të shkëlqyer të bërë në kualifikuese. 33-vjeçarja regjistroi kohën 9.23.85, duke u pozicionuar e pesta në baterinë 2 dhe e 11-ta në renditjen e përgjithshme, në një garë ku konkurruan 41 atlete.

Kujtojmë se kualifikimi për në finale ishte edhe objektivi kryesor që kishte Luiza Gega për në “Tokio 2020”. Gega ishte sportistja e fundit shqiptare që garoi në Olimpiadën e këtij viti. Delegacioni shqiptar u paraqit më mirë se në “Rio 2016”, që kulmoi me Briken Caljan, i katërti në botë në peshëngritje dhe me Luiza Gegën finaliste në 3 mijë metra me pengesa.

Por kush qëndron pas Luizës? Personi me të cilin ajo tregoi se ra në kontakt vite më parë, kur merrte pjesë vetëm në garat në Shqipëri, ishte trajneri i suksesshëm, Taulant Stërmasi. Në një intervistë, ajo ka treguar vetë se si u takua me trajnerin Stërmasi, që në atë kohë stërviste atletë të sprintit.

Vajza e lindur në Bulqizë, por e vendosur më pas në Durrës me familjen, tregon se si ndryshoi gjithçka në jetën e saj pasi njohu trajnerin.

“Sapo kisha filluar shkollën dhe duke qenë se jam shumë e lidhur me familjen kthehesha në Durrës në çastin që gjeja pak kohë të lirë. Por me trajnerin e ri ndryshoi regjimi, orari i stërvitjeve dhe dieta. Kështu, stërvitjet u bënë më të shpeshta dhe kthimet në familje më të rralla”.

E duke folur për mungesën e kushteve dhe të një stafi të vërtetë për një atlete kampione, Luiza tregon edhe më shumë për trajnerin personal.

“Trajnerin e kam doktor, e kam masazhator, e kam dietolog”, duke theksuar faktin se janë të dy shumë të lidhur dhe me të njëjtin synim për të arritur suksese.

Por pavarësisht se në rrëfimet e tyre flasin thjesht për një marrëdhënie pune mes tyre, burime të afërta tregojnë se ata kanë vite që janë në një romancë. Marrëdhënia e tyre është konsoliduar shumë dhe sukseset që kanë arritur kanë qenë të njëpasnjëshme dhe pa dyshim që me talentin e saj dhe udhëzimet e trajnerit u shndërrua në një kampione.

Atletja e njohur dhe që ka thyer një sërë rekordesh ndërkombëtare në vrapimin 800, 1500 dhe 3000 metra, para pak kohësh ishte e ftuar në “Top Albania Radio”, në programin “Dilema sociale” me Eno Popin.

Ajo nuk shkoi vetëm, por e shoqëruar nga trajneri Taulant Stërmasi, i cili e ka ndjekur hap pas hapi në sukseset e saj të njëpasnjëshme.

Luiza foli edhe për momentet e dobësisë, kur ka dashur edhe të heqë dorë nga sporti, por që tashmë është e kënaqur që është kthyer në një frymëzim për brezat e rinj që kanë pasion sportin, duke i këshilluar që të mos dorëzohen në asnjë moment dobësie.

Luiza Gega është fëmija i dytë i një familjeje me pesë fëmijë dhe e vetmja që merret me sport. Shpejtësinë e saj e pikasi burri i tezes, i cili i sugjeroi familjes së Luizës ta çonin vajzën në shkollën “Mjeshtëria sportive” ku ai jepte mësim.

“Kur bënim gara rrotull fushës, ngaqë isha dhe më e vogla në moshë, kisha drojë të vendosesha në fillim. Ndodhte që dilja e para, ose e dyta, por ditën tjetër, kur kishim garë, unë përsëri rrija diku në mes të grupit.

Ndryshimi ndodhi kur erdhëm në Tiranë për Krosin Kombëtar që zhvillohej nga Kodrat e Liqenit, një garë 3000 metra. Unë dola e para, edhe pse isha më e vogla në moshë mes nxënësve të ardhur nga Durrësi dhe pastaj u bëra në njëfarë mënyre e njohur në shkollë”.

Kur mbaroi shkollën e mesme, u regjistrua në Universitetin e Sporteve në Tiranë, por nuk ishte aspak e thjeshtë.

“Edhe pse familja nuk më ka penguar kurrë për asgjë dhe nuk ma ka shprehur asnjëherë mungesën e mundësive, dukej qartë se ishte e pamundur të përballonin shpenzimet e mia.

Motra e madhe kishte filluar shkollën e lartë dhe punonte, ndërsa unë nuk mund të punoja, ndërkohë që vetëm një palë atlete me thumba, për vrap, kushtonin rreth 150 dollarë”.

Duhej gjetur një zgjidhje që gjithsesi nuk do të zgjidhte gjithçka. Luiza kishte nisur të vendoste rezultate shumë të mira kombëtare. Ajo mendoi dhe i këshilluan që duhej të punonte me Taulant Stërmasin, i cili në atë kohë stërviste Klodiana Shalën, rekordmenen në 100, 200 dhe 400 metra në Shqipëri.

Në atë kohë ai nuk mund ta dinte që sportistja me të cilën do të zgjeronte fashën e rekordeve si trajner, pikërisht aty ku i linte Klodi, me 800, 1500 dhe 3000 metra, ishte shfaqur.

“Me rezultate të përgjithshme, edhe pse shumë më poshtë, unë vija direkt pas Klodiana Shalës, por sigurisht nuk isha në nivelin e duhur. Trajneri ka një hije shumë serioze dhe e kisha të pamundur t’i kërkoja vetë të më merrte në ekip.

Më kujtohet që fillimisht i kam thënë Klodit. Më pas, Taulanti pranoi dhe nisa të stërvitesha me të. Kisha shumë punë për të bërë, por po ecja me hapa të mëdhenj, përmirësoja kohët e garave shumë shpejt”, kujton Luiza në një intervistë dhënë për revistën “Class”.

Deri sa erdhi rekordi i parë shqiptar në 800 m në Kampionatin Botëror në Kore në vitin 2011. Që nga ajo kohë, ajo vazhdon monologun e rekordeve, thyen dhe rithyen rekorde kombëtare në garat 800, 1500, 3000 dhe së fundmi edhe në garën e re që i ka shtuar karrierës, 3000 m me pengesa.

Më i rëndësishmi ndër ta është rekordi në 1500 metra, i cili kishte 29 vjet në fuqi, i vendosur nga Pavlina Evro, kur Luiza e theu për herë të parë në 2012-ën, në një aktivitet të përvitshëm në Mal të Zi.

Sigurisht, nuk mund të mos përmenden meritat e trajnerit në të gjitha këto rezultate, i cili për të ndjekur pasionin e sportit, që ka një ritëm që nuk të lejon të bësh një punë të dytë, e ka lënë punën për t’iu përkushtuar plotësisht trajnimit dhe luan shpesh, përveç rolit të trajnerit, edhe të njeriut që i mban ritmin duke e ndjekur me biçikletë, të këshilluesit, deri për ushqimet që duhet të hajë, apo të mbikëqyrësit të medikamenteve që ajo merr kur është pa qejf, qoftë edhe një “spray”, nëse ato kanë elemente që ndikojnë analizat e dopingut.

Është me të vërtetë e paimagjinueshme nga jashtë se si është e organizuar jeta e një atleteje profesioniste si Luiza. Viti ndahet në periudha stërvitjesh, garash dhe rikuperimi dhe ka periudha kur stërvitet deri në 6-7 orë në ditë.

Ndërsa trajneri i Luiza Gegës, Taulanti, në një intervistë për gazetën “Panorama Sport”, pyetjes se si e njohu Luizën dhe sa iu përkushtua, i përgjigjet:

”Unë jam marrë gjithmonë me sportistë shpejtësie dhe jo distance. Për një trajner që merret me shpejtësinë e ka pak të vështirë të kalojë në një disiplinë tjetër. E njihja shumë pak Luizën dhe disiplinën e saj. Kishte sportistë shumë të mirë në atë kohë, më të mirë se Luiza, por gjithmonë duke folur për shumë vite më parë.

Njohja jonë ka korresponduar edhe me një ngjarje të veçantë për Luizën: ditëlindjen e saj të 19-të. Ishte vonë për mua dhe për të, pasi nëse do të kishte filluar 14 vjeçe, atëherë këtë rezultat tani do ta kishim 5 vjet më parë. Për të arritur një rekord, sportistit i duhen të paktën tri vite stërvitore të pandërprera, ku nga dita në ditë të rrisë rezultatin./panorama plus.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat