Agron Muçaku, i pakapshëm: Në listën e rekordeve do të regjistrohen edhe tre rezultatet e mia si rekorde të Kosovës

Atletika

Agron Muçaku, i pakapshëm: Në listën e rekordeve do të regjistrohen edhe tre rezultatet e mia si rekorde të Kosovës

Nga: Kemajl Goca Më: 21 shtator 2021 Në ora: 18:40
Agron Muçaku, i pakapshëm: Në listën e rekordeve do të regjistrohen edhe tre rezultatet e mia si rekorde të Kosovës

Në fundjavën që e lamë pas, Agron Muçaku, ka treguar edhe një herë mjeshtrit e tij në mbretëreshën e sporteve, kësaj radhe për veteranë përkatësisht në Kampionatin Ballkanik, që u zhvillua për tre ditë rresht në Korçë.

Në garë morën pjesë 718 garues nga shtetet e Ballkanit, ndërsa atleti gjakovar, Muçaku, fitoi tre medalje (një të artë dhe dy të argjendta).   

“Siç e dini derisa kam qenë atletë i rregullt senior, disiplinat e mia personale në sportin e atletikës kanë qenë; vrapimi në 110 metra me pengesa dhe vrapimi në 400 metra me pengesa. 

Image

Në këto disiplina jam ende rekordmen i Kosovës që nga viti 1986, pra që 35 vite me radhë. 

Rekordi në disiplinën 110 metra me pengesa është 15:00 sekonda, ndërsa në 400 metra me pengesa është 58:00 sekonda.

Për shkak të rrethanave politike që ekzistonin në Kosovë nën sundimin serb mua si atlet nuk më është dhënë mundësia të vrapoj në gara ndërkombëtare me qëllim që të tregoj vlerat e sportit kosovar.

Kështu në rrethanat e reja të krijimit të shtetit tonë të dashur, dhe pas organizimit të njësisë së atletëve veteran të Kosovës në kuadër të Federatës Atletike të Kosovës, sivjet, pra me datë 17 deri 19 shtator në organizimin e Kampionatit Ballkanik për atletët veteran që u mbajt në Shqipëri, në qytetin e Korçës mu dha mundësia për të marrë pjesë në këtë garë ndërkombëtare duke realizuar dëshirën time të kahmotshme për një manifestim të tillë.

Tjetër qëllim i imi ishte që të vërtetoj talentin tim; që unë nuk isha një rekordmen i rastësishëm i Kosovës në disiplinat me pengesa 35 vjet me radhë”, thotë Muçaku për gazetën kombëtare “Bota sot”.    

Muçaku tregon se Kosova mori pjesë për herë të parë në këtë garë interesante që u zhvillua gjatë fundjavës së kaluar në qytetin e Korçës.  

Image

“Përpara se të flas për suksesin e garave dua të ju informoj që Kosova mori pjesë për herë të parë në këtë Kampionat Ballkanik. Pra, ne ende nuk ishim të pranuar si shtet i ri në kuadër të kësaj federate. Kështu, që në ditën e parë kur kemi mbërri në Korçë u organizua mbledhja e shteteve përfaqësuese për të pranuar Kosovën me të drejta të barabarta në federatën ballkanike të atletëve veteran.

Gjatë hedhjes së votave shtetet që nuk na kanë pranuar si: Greqia, Serbia, dhe Rumania abstenuan në hedhjen votës, dhe ky abstenim nënkuptonte miratim.

Mirëpo, për çudi të të gjithëve, Bullgaria pa pikë nevoje doli kundër dhe Kosova nuk u pranua në federatën ballkanike. Pas kësaj mbledhje u mobilizuan përfaqësuesit e Kosovës dhe ata të Shqipërisë që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt. Për fat të mirë në garat ballkanike kishte ardhur si mysafir përfaqësuesi i federatës botërore të atletikës me origjinë franceze, (emrin se mbaj në mend) i cili ju bëri të ditur shteteve tjera pjesëmarrëse që Kosova është e pranuar në organizatën botërore të atletikës dhe organizmat tjerë më të ultë duhet automatikisht të pranoj Kosovën me të drejta të barabarta. 

Kështu në ditën e tretë u mbajt mbledhja e radhës dhe Kosova u pranua me të drejta të barabarta në Federatën Ballkanike të atletëve veteran për të cilën mendojmë që ishte edhe një lloj fitore në planin politik”, tregon Muçaku.

Rezultatet në Kampionatin Ballkanik? 

“Tash do të flasë për përvojën dhe sukseset e mia në këto gara.

Unë kam qenë në dijeni për organizimin e këtyre gara qysh para një viti. Në këtë kontekst edhe kam filluar përgatitjet për një përfaqësim sa më dinjitoz në këtë garë.

Gjatë periudhës përgatitore kam pasur vështirësi të mëdha derisa jam adaptuar. Gjithashtu më ka munguar infrastruktura sportive stadiumi dhe rekuizitat sportive siç janë pengesat. Sa i përket stadiumit e kam shfrytëzuar stadiumin e futbollit afër shkugëzës. Ndërsa rekuizitat sportive - pengesat i kam bërë privatisht me mjetet të mia personale me qëllim që të ushtroj teknikën e vrapimit ne disiplinat 100 metra me pengesa dhe 400 metra me pengesa. 

Pengesat kanë qenë lëvizëse. Pra, ato mund te ngritën lartë deri ne 1 m e 20 cm. Por edhe mund te ulen deri ne 70 cm.
Për disiplinat e mia (grup mosha 55 deri 59 vjet) personale në 100 metra me pengesa lartësia sipas rregullave për moshën time 58 - vjeçare është 91.4cm.

Ndërsa lartësia për disiplinën 400 metra me pengesa sipas rregullave për moshën time është 84 cm.

Në disiplinën 400 metra me pengesa largësia prej vijës startuese deri te pengesa e parë është 45 metra, ndërsa largësia ndërmjet pengesave tjera është 35 metra.

Në disiplinë tjetër në 100 metra me pengesa largësia nga vija startuese deri te pengesa e parë është 13 metra, ndërsa largësia ndërmjet pengesave tjera ishte 8.5 metra.

Me ditën e parë të garave pra, me datën 17.09.2021, mora pjesë në gara në disiplinën 400 metra me pengesa duke e zënë vendin e dytë me kohë 1.21.30  sekonda. Kështu duke e fituar medaljen e argjendtë dhe duke u bërë nënkampion i Ballkanit në këtë disiplinë.
Në ditën e dytë me datë 18.09.2021 mora pjesë në gara në disiplinën 100 metra me pengesa duke e zënë prapë vendin e dytë me kohë 19 sekonda e 64 te qindtat dhe e mora medaljen e dytë të argjendtë duke u bërë nënkampion i Ballkanit edhe në këtë disiplinë.

Në ditën e tretë me datë, 19.09.2021, mora pjesë në disiplinën e trehapëshit dhe me këtë rast zura vendin e parë në gjatësi 9.52 cm duke e marr medaljen e artë dhe u shpalla kampion i Ballkanit në këtë disiplinë.

Me këto suksese të arritura kontribova shumë për shtetin e Kosovës dhe isha atleti më i mirë Kosovar për nga medaljet e fituara. Me këto suksese unë vërtetova talentin tim që nuk isha rastësisht rekordmen i rastësishëm i Kosovës në disiplinat e vrapimeve me pengesa. 

Të gjitha këto suksese i kam arritur me dije dhe me punë të madhe, por edhe me një përkushtim e durim të madh. 

Tash pas këtyre fitoreve në listën e rekordeve do të regjistrohen edhe këto tre rezultatet e mia si rekorde Kosovare në grup moshën 55 deri 59 vjet deri sa nuk del një talent tjetër në këtë moshë dhe ti thyej këto rekorde.

Për fund, përkundër moshës ky sukses më ka motivuar edhe më shumë që të përgatitem edhe më mirë për garat e radhës në vitin tjetër që do të mbahen në shtetin e Greqisë”, shprehet Muçaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat