Theu urdhrin ushtarak, Ministria e Mbrojtjes ndalon shqiptaren të garojë në Turqi

Atletika

Theu urdhrin ushtarak, Ministria e Mbrojtjes ndalon shqiptaren të garojë në Turqi

Më: 8 qershor 2017 Në ora: 11:37
Luiza Gega

Luiza Gega respekton parashikimet edhe në garimin e dytë të Superligës turke si sportiste e Fenerbahçes. Pas titullit kampion që i dhuroi një ditë më parë në 3000 m/p, Gega rikonfirmohet si e pathyeshme në pistë në finalen e 1500 m.

Pas një garimi të dominuar plotësisht prej shqiptares, Gega zuri sërish vendin e parë me kohën e përgjithshme 4.09.88. Ndërsa aventura turke uli siparin shkëlqyeshëm, Gega rikthehet sot në aktivitetet kombëtare, ku do të marrë pjesë në kampionatin për të rritur, garat e së cilës do të zhvillohen sërish në “Elbasan Arena”.

REFUZIMI – Por, përpara nisjes për në Superligën turke, Luiza Gega është ballafaquar me një refuzim nga ana e autoriteteve të Ushtrisë, ku edhe ajo është pjesë e saj, për të marrë pjesë në këtë garë nën siglën e Fenerbahçes. Lajmin e konfirmoi për gazetën “Panorama Sport” trajneri Taulant Stërmasi.

“Ne kemi qenë në grumbullim në Dardhë dhe shefi i Shtabit i kërkoi Luizës të bënte një takim urgjent me komandantin. Luiza zbriti nga grumbullimi dhe e bëri takimin me komandantin me temë bisede ikjen nga Shqipëria me Fenerbahçen e Turqisë. Ky ishte një informacion që kishin marrë nga media e shkruar dhe vizive.

Në bisedën e zhvilluar ju shpjegua që nuk ka lidhje ajo që është shkruar e konceptuar dhe se Luiza do të jetë anëtare e ekipit kombëtar dhe e klubit Tirana.

Më pas iu kërkua t’i bëhej një shkresë Shtabit të Përgjithshëm për situatën. Dhe kështu ndodhi, situata iu shpjegua edhe një herë tjetër. Shkresa u bë në prezencë me shefin e personelit të Policisë Ushtarake.

Ndërkohë 7-8 ditë më vonë njoftohemi se duhet të bëjë kërkesën në formatin e miratuar nga Shtabi i Përgjithshëm. U ribë kërkesa përcjellëse bashkë me informacionin e mëparshëm dhe iu ridërgua Shtabit të Përgjithshëm.

Por, më datën 30 maj Luiza njoftohet me SMS nga shefi i personelit se kërkesa nuk është miratuar për të marrë pjesë me Fenerbahçen, pra për të garuar në Turqi.

Nuk pati kohë që Luiza të shkonte për të tërhequr shkresën, gjë të cilën do ta bëjë sapo të mbërrijë në Tiranë”, zbuloi trajneri Stërmasi. Sakaq, i pyetur se kush është motivacioni i refuzimit të kërkesës, Stërmasi sqaroi: “Realisht nuk e dimë, ndaj dhe donim të lexonim kërkesën, raporton panoramasport..

E përsëris që sapo të zbresim në Tiranë së bashku me Luizën ne do të zhvillojmë një takim te Policia Ushtarake. Nuk e dimë që është përjashtuar. Shkelja e urdhrit për ushtrinë është përjashtim apo jo?”.

Trajneri Stërmasi bëri edhe një koment për konkurrimin e radhës në Superligën turke. “Edhe sot (dje) doli e para në 1500 metra. Ka bërë një finish të jashtëzakonshëm, një supergarë. 400 m e fundit ishin super duke shënuar kohën 4.09.88. Kundërshtare e Gegës ishte atletja keniane, e cila hyri për normë.

Megjithatë, këtu lartësia u prish punë edhe kenianeve. Në 1000 m mbi nivelin e detit s’mund të presësh rezultate në gjysmë dhe distancat e thella”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat