Smajlaj mahnit sërish

Atletika

Smajlaj mahnit sërish

Më: 22 dhjetor 2017 Në ora: 11:11
Izmir Smajlaj

Izmir Smajlaj kërkon të shkojë përtej Shqipërisë, Ballkanit dhe Europës… Atleti shqiptar, kampion i kërcimit së larti të kontinentit të vjetër, në salla të mbyllura vazhdon stërvitjen e tij në Gadishullin Apenin. Pas disa ditësh në San Marino, mësohet se 24- vjeçari ka mahnitur sërish. Dje, shkodrani ka qenë i impenjuar në një test stërvitor, këtë herë në Itali, në qytetin e Ankonës duke kërcyer në shifra të frikshme: 8.32 metra.

Fakti që kjo “garë” ka qenë në kushte palestre, bën që numrat të mos jenë zyrtarë, por të tilla rezultate tregojnë se Smajlaj është gati që pasi ka shijuar medaljet shqiptare dhe europiane, ndoshta tani është gati që pushtojë edhe botën.

Nëse kjo shifër do të përsëritej edhe në ndonjë aktivitet ndërkombëtar, pa dyshim që medaljen e artë nuk do t’ia rrëmbente askush, duke qenë se për momentin nuk ka pasur asnjë sportist në qarkullim që të shkojë përtej 8.20 metrave, duke kujtuar gjithashtu se rekordi botëror i kërcimit së larti është 8.95 metra, i amerikanit Majk Pauell, i vendosur më 30 gusht 1991, në Tokio (Japoni).

Izmir Smajlaj është shpallur Kampion Europe me 8.08 metra, në Beograd, në muajin mars të këtij viti. Aktualisht, Smajlaj është rekordmen kombëtar në kërcim së gjati në salla të mbyllura me 8.08 metra si dhe në pista të hapura 8.03 metra. Por me rezultatet që po tregon në testet stërvitore në Ankona, ai mund të synojë edhe fronin botëror, raporton panoramasport. Atletin shqiptar e presin një sërë eventesh në vitin 2018, duke nisur nga 11 janari, në mitingun ndërkombëtar që do të zhvillohet në Stamboll si dhe në Kampionatin Botëror të sallave të mbyllura në Birmingem (Angli).

Gjithashtu, gjatë vitit do të jetë pjesëmarrës në Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018” si dhe në Kampionatin Europian, i cili zhvillohet në Berlin, në muajin korrik. Objektivi i tij kryesor, siç deklaroi në një intervistë të fundit në San Marino, është medalja në Europianin e Berlinit, pse jo duke ruajtur shifrën 8.32 metra.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat