Kryeziu: Hajdari me një qetësi jashtëzakonisht të madhe përfundoi garën

Atletika

Kryeziu: Hajdari me një qetësi jashtëzakonisht të madhe përfundoi garën

Nga: Kemajl Goca Më: 22 korrik 2018 Në ora: 14:42
Kryeziu: Hajdari me një qetësi jashtëzakonisht të madhe përfundoi garën

Zijadin Kryeziu, përzgjedhës i kombëtares së Kosovës, thur elozhe për atletin e tij, Musa Hajdari, i cili zuri vendin e dytë në Kampionatin Ballkanik në ambient të hapur. Hajdari me një disiplinë dhe qetësi të jashtëzakonshme arriti i dyti në një garë shumë të fortë.    

“Është një sukses i mirë, edhe i pritur për shkak se gjatë tërë vitit ka treguar formë të mirë. Përgatitjet kanë ecur mirë por dy ditë para garës ka pasur tërheqje të muskulit, pak a shumë e ka bërë diskutabile se a do të hyjmë në plasman. Me një qetësi jashtëzakonisht të madhe ka arritur ta përfundoi garën dhe për herë të tretë është nënkampion Ballkani (dy herë në ambient të hapur dhe një herë në palestër).

Kjo është medalje e katërt këtë vit, pasi që është kampion Evrope për shtetet e vogla në Lihteshtejn (në 800 metra), në Bjellorusi si reprezentues Ballkanik në 800 metra, ka arritur vendin e tretë, dhe tani është nënkampion i ballkanik”, thotë Kryeziu për gazetën kombëtare “Bota sot”. Ish atleti më i suksesshëm në vendin tonë, Kryeziu, kujton edhe vitin e kaluar që nuk morën pjesë në Kampionatin Ballkanik në Novi Pazar.

“Vitin e kaluar nuk kemi marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik që u mbajt në Novi Pazar, siç dihet edhe federata tjera kanë pasur probleme të njëjta, për shkak të rrethanave siç janë të njohura politike. Këtë vit në Stara Zagora, kemi pasur paraqitje jashtëzakonisht të mirë dhe shpresojmë tutje”, tha Kryeziu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat