Gjermania humb oreksin për makinat

Auto

Gjermania humb oreksin për makinat

Më: 20 maj 2019 Në ora: 23:23
Ilustrim

Rritja e ndërgjegjësimit për çështjet e mjedisit po ndikon industrinë e prodhimit të automjeteve të Gjermanisë. Një vrojtim i ri tregon se 48 për qind e të pyeturve e rendisin krizën e klimës si shqetësimin më të madh. Vitin e kaluar u ul ndjeshëm numri i automjeteve të shitura, çka ndikoi menjëherë Prodhimin e Brendshëm Bruto. Tani edhe prodhuesit janë dorëzuar dhe po fokusohen te automjetet elektrike.

Në Gjermaninë që dashuron automjetet, kriza e klimës ka ndarë elektoratin në prag të zgjedhjeve europiane.

Një vrojtim i ri i kryer nga televizioni kombëtar ARD, tregon se 48 për qind e të pyeturve e rendisin krizën e klimës si shqetësimin më të madh.

Nga njëra anë qëndrojnë votuesit e rinj që banojnë në qendrat urbane, të cilët e kanë rritur dukshëm presionin ndaj udhëheqësve politikë për të arritur objektivin e një vendi neutral ndaj dyoksidit të karbonit.

Në anën tjetër qëndrojnë më të moshuarit e natyrisht më të pasurit që banojnë në periferitë e qyteteve të mëdha.

“Të rinjtë janë më të përfshirë tani në procesin e dixhitalizimit. Ata gëzohen më shumë të marrin dhuratë një iPhone sesa një makinë të re,” shpjegon Ferdinand Dudenhoeffer, drejtor i Qendrës për Hulumtime Automobilistike në Duisburg, Essen.

Më 27 prill të këtij viti aktivistët e çështjeve të mjedisit inskenuan “vdekjen masive” në sheshin e Tregut të Madh të Berlinit, për të dhënë mesazhin se veprimtaria e njeriut po nxit shfarosjen e shumë gjallesave.

Gjermania është zotuar të reduktojë emetimet e dioksidit të karbonit me 55% deri në vitin 2030 dhe 95% deri në vitin 2050. Deri tani është e paqartë nëse vendi mund ta arrijë këtë objektiv.

Shumica e emetimeve shkaktohen nga djegia e qymyrit për prodhimin e energjisë, ndërsa më pas renditet emetimet nga transporti.

Ndryshimi i qasjes që kanë gjermanët ndaj transportit ka nxehur debatin politik dhe kulturor të vendit. Një gjë e tillë është pranuar edhe nga kancelarja Angela Merkel.

Gjermania prodhoi 5.5 milionë automjete në vitin 2017 dhe industria në fjalë punëson 820 mijë vetë dhe gjeneron 20 për qind të prodhimit të përgjithshëm industrial.

Industria e prodhimit të automjeteve është goditur rëndë së pari nga rritja e ndërgjegjësimit për mjedisin dhe së dyti nga skandali i ashtuquajtur “Dieselgate,” i vitit 2015 në të cilin u përfshi prodhuesi Volkswagen, por edhe të tjerë.

Këta faktorë sollën uljen e numrit të automjeteve të shitura vitin e kaluar si edhe rrudhën Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit, duke e çuar ekonominë thuajse në recesion.

Tani prodhuesit janë dorëzuar dhe po fokusohen te automjetet elektrike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat