Industria e veturave në Evropë është duke ngecur

Auto

Industria e veturave në Evropë është duke ngecur

Më: 22 shtator 2019 Në ora: 14:48
Foto ilustrim

Jens Wagner ka punuar në panairin e veturave në Frankfurt të Gjermanisë qe 20 vjet, duke shitur kapele me logo të prodhuesve të veturave, rroba të ndryshme dhe vetura lodra. Ai thotë se ky panair nuk është si ka qenë dikur.

“Nëse shikoni rreth vetes, ju do të shihni vetë se çfarë është duke ndodhur. Më pak njerëz, më pak prodhues, gjithçka më pak”, thotë burri 47 vjeç.

Ai i kujton ato që thotë se ishin ditët e arta, kur veturat me motorë të zhurmshëm ia zinin vendin veturave elektrike, kur tregu i lirë mbizotëronte ndaj masave mbrojtëse dhe kur panairet industrial si ai i Frankfurtit shkëlqenin.

Ndonëse në panairin 10-ditor vijnë ende mijëra vizitorë, numri i kompanive që morën pjesë në panair ra nga 994 sa ishte në vitin e kaluar në 830 këtë vit. Prodhues të njohur botërorë, përfshirë kompanitë “Toyota” dhe “Ferrari”, këtë vit nuk morën pjesë në panair.

Disa kompani të tjera vendosën të shfrytëzojnë hapësirë më të vogël në panair këtë vit, duke thënë se duhet të gjejnë mënyra të tjera më inovative për t’u lidhur me klientët.

Zvogëlimi i panairit më të madh në Gjermani, i cili mbahet çdo të dytin vit, mund të ketë lidhje më shumë me dëshirën e njerëzve për të marrë pjesë në tubime të këtilla sesa për vetë industrinë e veturave, por kjo dukuri po përputhet edhe me vështirësitë e vërteta me të cilat po përballet ky sektor i industrisë, shkruan “Washington Post”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat