Nëntë automobiliste të Kosovës garuan në Shkup

Auto

Nëntë automobiliste të Kosovës garuan në Shkup

Më: 7 mars 2020 Në ora: 21:59
Automobilistet e Kosovës garuan në Shkup

Nëntë garuese nga Kosova u paraqitën në një garë të automobilizmit që të shtunën është mbajtur në Shkup.

Këtë e ka bërë të ditur Federata e Auto Sporteve të Kosovës. Sipas njoftimit, gara ishte në disiplinën “reli” dhe kishte karakter festiv. Garueset e Kosovës janë paraqitur me sukses, ndërsa është dalluar Ermira Topalli që kishte kohën më të mirë në plasmanin e përgjithshëm.

“Ishte përvojë shumë e mirë për ne, aq më tepër që për herë të parë paraqitemi në një disiplinë të tillë. Besoj që gara të tilla do të organizohen edhe te ne, ndërsa i inkurajoj femrat që sa më shumë të përfshihen në auto sport. Jam e kënaqur për rezultatin, ndonëse ai nuk ishte në plan të parë”, ka thënë Topalli.

Pos saj garuan edhe Shqipe Osmani, Mimoza Jetullahu, Pranvera Xhaferi, Afërdita Ruva, Luljeta Topalli, Blerta Bytyçi, Sevdije Mehmeti dhe Dorentina Qerimi.

“Është praktikë e mirë, përmes të cilës garueset tona fituan përvojë të re. Pjesëmarrja në gara të tilla dhe përgjithësisht në auto sport, është kulturë sportive por edhe kontribut për rritjen e sigurisë në trafik. Sigurisht që edhe ne do të organizojmë gara në këtë disiplinë dhe besoj që numri i pjesëmarrëseve do të jetë shumë i madh”, ka thënë kryetari i FASK-ut, Ismet Rexhepi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat