A munden gjigantët teknologjikë të bëhen prodhues veturash?

Auto

A munden gjigantët teknologjikë të bëhen prodhues veturash?

Më: 24 dhjetor 2020 Në ora: 20:46
Foto ilustrim

Nocioni se veturat po bëhen “kompjuterë në rrota” tashmë është shprehje e tejkaluar dhe që tashmë ka marrë drejtim të ri. Në arkitekturat elektrike të së ardhmes, veturat po bëhen “serverë në rrota” me kompjuterë qendrorë, me kapacitete të inteligjencës artificiale e lidhjeve të tjera përmes ekosistemeve teknologjike.

Drejtimi është nën rrotat e gjigantëve teknologjikë si “Microsoft”, “Apple”, “Amazon” dhe “Alphabet”. Një pikëpyetje që vazhdimisht po rritet brendapërbrenda industrisë është nëse këta gjigantë teknologjikë do të kalojnë nga ofertuesit teknologjikë në prodhues të vërtetë të veturave.

Peizazhi po ndryshon

Duhet të dihet qartë se gjigantët teknologjikë janë aktualisht aktivë në hapësirën e automobilizmit në një shkallë të paprecedentë. Shërbimet e tyre janë të integruara nëpër vetura përmes “Android Autos” dhe “Apple CarPlayit”, duke u përfshirë virtualisht në çdo autoprodhues. Pos kësaj, “Amazoni” ka bërë një shtytje të madhe për të përfshirë asistentin e vet të zërimit, “Alexa”, në disa linja të veturave.

Këta trendë po shkojnë vetëm duke u rritur me kompanitë teknologjike që po kthejnë vëmendjen kah industria e automobilizmit për të rritur dhe zgjeruar shtrirjen e ekosistemeve të tyre. “Apple” ka prezantuar mundësinë e hapjes së dyerve të veturave bazuar në afërsinë e iPhonet. “Waze”, kompani e udhëhequr nga “Alphabet”, pritet të hyjë në sistemet kryesore të informimit në vetura. “Amazoni” ka bërë lëvizjen më të madhe me disa pako deri tash përfshirë edhe aktivizimin e pagesave përmes zërit nëpër disa pompa benzine.

“Qendra për Digjitalizim në Autoindustri” e “BCG-së” pret që të ketë një kalim fundamental për dy deri katër vjetët e ardhshëm me gjigantët teknologjikë që do të përfshijnë softuerët e tyre nëpër vetura – secili që synon përforcimin e vet.

“Microsofti” është i fokusuar në ‘cloud’, duke marrë pozitën e liderit me Platformën e veturave të lidhura dhe duke sjellë aftësinë e llogaritjeve nëpër vetura. Për dallim “Alphabeti” po punon me sistemin operativ, duke shfrytëzuar “Android Auto” për të bërë “Androidin” de-facto sistemin informues të veturave në shumicën e industrisë. Këto pozicione ia mundësojnë shërbimeve të “Google-it” të kenë qasje më të thellë në të dhënat e veturave dhe duke ofruar qasje më ndryshe në platformën grumbulluese të “Google-it”. Këto “Amazoni” i pa si kërcënime për pozicionin e vet. Andaj ajo njoftoi një bashkëpunim me “QNX-në”, një nga liderët në sistemet operative të automobilizmit.

Duke parë tregun e veturave vetëvozitëse, gjigantët teknologjikë janë liderë me “Waymon” që udhëheq, por që publikisht është shprehur se s’ka interesim për prodhimin e një veture dhe është fokusuar në inovacionin teknologjik. Edhe “Amazoni” me blerjen e “Zoox” ka ofruar një qasje të re interesante se si peizazhi i teknologjisë së veturave autonome mund të zhvillohet.

Avantazhet dhe barrierat e kalimit në harduerë

Me gjithë aktivitetin, pyetja kryesore që mbulon autoindustrinë është nëse gjigantët teknologjikë do të bëjnë hapin e madh për të kërcyer nga teknologjia në prodhim të veturave. Për t’iu përgjigjur kësaj, duhet të adresohen disa prej avantazheve dhe disavantazheve të kalimit në harduerë.

Kontrollimi i krejt platformës për të mbrojtur eksperiencën. Kjo është ajo që “Microsofti” dhe “Alphabeti” kanë bërë me “Surfacen” dhe “Pixelin”. Gjithsesi, në të dyja rastet kalimi për të hyrë në harduerë u bë pasi ato nisën të humbin pikë në terrene të tjera. Në automobilizëm nuk pritet të arrijnë diçka të madhe pa pasur vetë ndonjë pajisje harduerike.

Lansimi i një produkti tërësisht të ri. Ky është argumenti i “Echo/Alexas”. “Amazoni” s’do të ishte i suksesshëm nëse thjesht do të prodhonte shërbimin e zërit pa harduer. Në fillim u desh të shoqërohej me pajisje përkrahëse. Në automobilizëm, s’është e njëjta dinamikë.

Prishja e një tregu ekzistues përderisa ka fitim. Gjithsesi, përpjekja për të marrë hapësirë në një treg si prodhues në automobilizëm, do të shkaktonte dëme ekonomike, në veçanti për “Alphabetin” dhe “Microsoftin”, duke e bërë të vështirë që investitorët të marrin leje për të hyrë në një treg me intensitet të lartë kapital dhe margjinë dukshëm më të ulët.

Fitimi i qasjes në një set unik të dhënash. Automobilizmi përfaqëson një mundësi në këtë fushë. Gjithsesi, hyrja në një garë direkte me autoprodhuesit e tjerë do t’i jepte fund mundësisë që të ishte një ofrues shërbimesh për ta. Kjo do të ishte një marrëveshje e madhe për “Amazonin”, “Azuren” dhe “Google Cloud Computen”, dhe jo një rrezik që do të mund ta merrnin për një burim të ri të të dhënave.

“BCG” ka kryer një studim të përbashkët me Forumin Ekonomik Botëror, në të cilin kanë hetuar se kujt do t’i besonin më së shumti klientët në prodhimin e një veture autonome. Klientët kanë thënë se i shohin kompanitë tradicionale të veturave si burimin primar të besimit (46 për qind e respondentëve) për dallim nga kompanitë teknologjike (16 për qind). Po ashtu, ekzistonte njohuria se prodhuesit tradicionalë duhet të punojnë më shumë dhe bashkë me gjigantët teknologjikë (69 për qind). 10 për qind e pjesëmarrësve thoshin se këto kompani mund t’ia dilnin vetë, ndërsa 17 për qind se duhet të bazohen në kompanitë aktuale përkrahëse.

Skenarët e mundshëm

Një trend që po funksionon në favor të gjigantëve teknologjikë është adaptimi i shpejtë i veturave elektrike me bateri. Deri më 2027, “BCG” pret që të jenë rreth 90 platforma të veturave elektrike me bateri, por në një shkallë prej vetëm 13 për qind e totalit. Pjesa e mbetur e platformave, prej 87 për qind, do të kishte një disavantazh prej 15-20 për qind të kostos në krahasim me alternativat e tjera të shfrytëzimit të platformave të njëjta. Kjo, kombinuar me arkitekturën më të thjeshtë të veturave me bateri dhe reduktimin e kostos për teknologjinë e baterisë, mund të bëjë që prodhuesit të nxiten për platformat e përbashkëta. Nëse ky standardizim bëhet realitet, industria e automobilizmit do t’i ngjajë më shumë sektorit të telefonave të mençur duke hequr barrierat për të rinjtë që synojnë të hyjnë në treg. Me këtë dinamikë, janë tri opsione në diskutim.

E para, “Apple” mund të prishë tregun e klientëve në automobilizëm. Ajo mund të dizajnojë harduerë unikë, senzorë të teknologjisë, softuerë, shërbime dhe nuk përballet me garën për ‘cloud’. Me prodhuesit e veturave që vështirë se mund të dorëzohen në arritjen e kontrollimit të eksperiencave të përdoruesve, për ta bërë këtë “Apple” duhet të ketë vetë një veturë të veten. Nëse “Apple” hyn në autoindustri, rruga e saj do të bazohej në prodhues të kontraktuar, ngjashëm sikur në elektronikë, dhe jo që të prodhojë vetë një veturë.

E dyta, “Amazoni” mund të ecën tutje me integrimin në peizazhin e veturave komerciale. Ajo ka shfaqur dëshirën për të hyrë në tregjet jo fort të mëdha dhe është aktive në rrjetet e logjistikës. “Amazoni” është zotuar më shumë për investim në “Rivian” se që të mendojë për zhvillim dhe prodhim vetura brenda fabrikave të veta. Tani ajo po punon në integrimin e teknologjive të kompanisë dhe po e rimendon qasjen e kamionëve shpërndarës për të përmirësuar produktivitetin e ngasësve dhe efikasitetin rrugor. Rruga e “Amazonit” për t’u bërë një prodhues veturash do të mund të ishte përmes blerjes së “Rivianit”, por vetëm nëse kjo i ndihmon rrjetit të vet të shpërndarjes.

Së fundmi, konglomeratet koreano-japoneze përfaqësojnë një propozim interesant, sepse kanë përvojë si në softuerë, si në dizajn të baterive, që konsiderohen bazat e veturave të ardhshme.

Megjithatë, gjigantët teknologjikë nuk pritet që shumë shpejt të bëjnë hapin e madh drejt autoindustrisë. Por, me rritjen e tregut të veturave elektrike është e mundshme që një kompani teknologjike të punojë me ndonjë prodhues për të dizajnuar vetura. Prodhuesit tradicionalë po bëjnë investime të paprecedenta në kapacitetet softuerike dhe në një mënyrë kontroverse mund të bëjë që edhe ato të kthehen kah tregu i teknologjisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat