Gruaja që ngjyros veturat në Iranin fetar

Auto

Gruaja që ngjyros veturat në Iranin fetar

Më: 10 maj 2021 Në ora: 07:35
Maryam Roohani

Një grua iraniane i ka thyer normat gjinore duke u bërë automekanike.

Maryam Roohanit i është dashur të përballet me mospajtimet e familjes së saj dhe diskriminim nga kolegët për të arritur sukses në karrierën e saj.

Ajo ka hyrë në klubin e burrave: në botën e veturave.

Industria e automjeteve mbetet e dominuar nga gjinia mashkullore në tërë botën.

Por, 34-vjecarja i ka thyer stereotipat gjinorë duke u bërë automekanike. Ajo mban në kokë një kapele në vend të shamisë së detyrueshme në Iran.

Roohani tregon se mund ta bëjë këtë punë aq mirë sa edhe një burrë.

Auto-ngjyrosësi ku punon, nuk është larg fermave të fëmijërisë së saj. Në fshatin rural të Iranit, vajzat martohen kur arrijnë moshën e pjekurisë dhe i përkushtohen rritjes së fëmijëve.

“Në fiset tona kurde të rajonit tonë, vajzës që prej fëmijërisë i mësohen punët si gatimi dhe qepja, që të jenë amvise të mira kur të martohen në moshën 12 ose 13-vjeçare. E njëjta gjë pritej edhe nga unë. Në moshën 13-vjecare pritej që të martohesha dhe të rrisja fëmijë, kështu që u ballafaqova me shumë kundërshtime kur e zgjodha këtë rrugë. Disi i kam thyer tabutë”.

Ajo kishte punuar si stiliste flokësh, por një pasion më i madh e kishte tërhequr: veturat.

Ndonëse familjarët e saj dolën kundër, babai u tregua më liberal dhe e mbështeti për ta realizuar ëndrrën.

Në Iran nuk kishte programe trajnimi, kështu që shkoi në Turqi, ku u ndesh me skepticizëm prej burrave.

Pas diplomimit, ajo mori me qira një hapësirë në një garazh në Teheran për ta ushtruar profesionin e saj. Njerëzit ishin kureshtarë dhe filluan ta shpërndajnë punën e saj nëpër media sociale, kështu që suksesi i kishte trokitur në derë.

Por, këtë sukses të saj si ngjyrosëse e veturave nuk e pritën burrat e të njëjtit zanat. Ata nuk e duronin suksesin e një gruaje. Kështu vendosën që ta dëmtojnë duke hedhur acid në mjetet e saj të punës.

“Një ditë, vendosa lustrues në arna për të filluar punën në një makinë, kur nuhata një erë acidi. Ishte e pamundur për mua të mbyllja derën e dyqanit kur u largova nga puna, kështu që ata kishin hyrë dhe kishin vënë acid në materialet lustruese. Shqisa e nuhatjes më shpëtoi dhe vura re erën e acidit menjëherë. Nuk e përdora sepse acidi me siguri do të digjte bojën e makinës dhe do ta dëmtonte”.

Ankesat ndaj pronarit të garazhit kishin shkuar në vend të shurdhër, kurse policia nuk mund të ndihmonte pa prova.

Ajo kishte dashur të hiqte dorë, por kishte marrë një ofertë nga një autongjyrosës i njohur në Teheran dhe tash e sa vjet po e jeton ëndrrën si ngjyrosëse e automjeteve.

Gratë iraniane, sidomos në qytete, kanë përparuar prgjatë viteve. Tani ato përbëjnë gjysmën e të diplomuarve dhe një pjesë të konsiderueshme të forcës së punës.

Menaxheri i firmës ku punon Roohani ka vetëm fjalë të mira për të.

“Ajo vjen e para në punë dhe e fundit del. Është e besueshme dhe e sigurt. Kur keni punëtorë kaq të përkushtuar, rezultatet më të mira i keni të garantuara”.

Roohani e mendon të ardhmen e saj jashtë vendi dhe shpreson ta krijojë një biznes të saj diku në Evropë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat