Prodhuesi francez i automobilave, Renault, njoftoi të shtunën se është goditur nga vala e sulmeve kibernetike, e cila e ka detyruar që të ndalojë prodhimin në shumë lokacione, në mënyrë që virusi të mos përhapet.
“Jemi goditur”, thanë zyrtarë të Renault për AFP, duke shtuar se janë duke vlerësuar që të gjejnë zgjidhje për situatën e krijuar, transmeton KosovaPress.
Sipas zyrtarëve të kompanisë franceze, sulmet janë duke ndodhur që nga mbrëmë dhe se ata po bëjnë gjithçka që është e mundur për t’iu kundërvënë këtyre sulmeve.
Pas sulmeve është kërkuar nga Renault të ndalojë prodhimin në shumë lokacione në Francë, si pjesë e masave emergjente për të ndaluar përhapjen e virusit.
Burime nga sindikata bënë të ditur se fabrika në Sandouville ishte njëra nga lokacionet kryesore të goditura.