Rënie drastike e bursës së Japonisë - Bota Sot
Rënie drastike e bursës së Japonisë

Azia

Rënie drastike e bursës së Japonisë

Më: 26 dhjetor 2018 Në ora: 07:20
Japoni

Vlera e aksioneve në bursën kryesore të Japonisë, ra në mënyrë drastike të martën, duke nxjerrë në pah frikat e investitorëve për trazirat politike në Uashington dhe humbjet masive në bursën e Nju Jorkut.

Indeksi Nikkei 225 humbi 1,000 pikë, pesë për qind të vlerës, duke u mbyllur me 19, 155 pikë, hera e parë që mbyllej nën 20 mijë pikë që nga shtatori 2017. Shifrat e së martës paraqesin një vlerë 21 për qind më të ulët se ato të tetorit, që ishin më të lartat.

Indeksi Shangai i Kinës, përfundoi me një vlerë 1 për qind më të ulët të martën. Tregjet në Hong Kong, Australi, Korenë e Jugut, Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, ishin të mbyllura me rastin e Krishtlindjes.

Humbjet e Nikkeit ishin në vazhdimësi të rënies së bursës të hënën në Shtetet e Bashkuara, kur indeksi mesatar i Dow Jones Industrial dhe i S&P 500 ra afro tre për qind dhe indeksi i përzier i NASDAQ-ut ra me mbi 2 për qind. Këtë muaj bursa ka pasur pothuajse çdo ditë humbje, dhe ka gjasa që tregjet amerikane të jenë duke përjetuar dhjetorin më të keq që nga viti 1931, gjatë Depresionit të Madh.

Kjo gjendje në prag të Krishtlindjeve, u shkaktua pjesërisht nga sulmet e Presidentit Donald Trump në Twitter ndaj Bankës Qendrore, Rezervës Federale dhe kryetarit të saj, pas një rritjeje të fundit të përqindjeve të interesit, si edhe mbylljes së pjesshme të qeverisë amerikane.

Investorët u shqetësuan gjithashtu nga telefonatat e Sekretarit të Thesarit, Steven Mnuchin's me krerët e gjashtë bankave më të mëdha të vendit të dielën për të përcaktuar nëse kishin capital të mjaftueshëm për të vazhduar funksionimin normal./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...