Egjipti goditet nga stuhitë e rërës

Azia

Egjipti goditet nga stuhitë e rërës

Më: 16 janar 2019 Në ora: 17:48
Pamje nga Egjipti

Kryeqyteti i Egjiptit, Kajro, dhe disa qytete bregdetare të këtij vendi janë goditur nga stuhi të fuqishme me erëra dhe rërë. Për shkak të kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme, autoritetet janë detyruar t’i mbyllin disa porte detare.

Këmbësorët janë parë duke hyrë në ndërtesa për t’i ikur një reje të rërës që e kaploi Kajron. Shumë qytetarë janë parë duke përdorur maska mjekësore për ta mbrojtur veten nga rëra e madhe që qarkullonte në ajër. Në anën tjetër, vozitësit e veturave janë ankuar për dukshmëri të kufizuar në autostrada.

“Ngjyra e ajrit po ndryshon. Është një lloj mjegulle. Askush nuk po sheh asgjë. Shpresoj që Zoti të na nxjerrë nga kjo situatë sepse ne jemi vozitës të motoçikletave”, ka thënë një vozitës. Zyrtarët e aeroportit të Kajros kanë thënë se këto stuhi kanë shkaktuar disa vonesa të fluturimeve.

Autoritetet e porteve në Detin e Kuq i kanë mbyllur portet e Suezit dhe Zeitiyatit për shkak të erërave të forta dhe valëve të larta të detit. Trasporti ujor është ndërprerë edhe në bregdetin mesdhetar të Aleksandrisë.

Ndërkaq, zyrtarët shëndetësorë i kanë këshilluar njerëzit që vuajnë nga sëmundjet e frymëmarrjes dhe mushkërive që të qëndrojnë në mjedise të mbyllura, shkruan “Reuters”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat