ISIS merr përgjegjësinë për shpërthimin në Siri, që vrau 4 ushtarë amerikanë

Azia

ISIS merr përgjegjësinë për shpërthimin në Siri, që vrau 4 ushtarë amerikanë

Më: 16 janar 2019 Në ora: 18:43
Skena e shpërthimit në Manbij

Grupi terrorist Shteti Islamik mori përgjegjësinë për një shpërthim në Sirinë veriore që vrau katër ushtarë amerikanë, sipas zyrtarëve të paidentifikuar të SHBA.

Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara tha se ende po mbledh informacion për incidentin.

"Anëtarë të shërbimit amerikan u vranë sot gjatë një shpërthimi, ndërsa ishin në një patrullë rutinë në Siri. Ne po mbledhim ende informacione dhe do të ndajmë hollësi shtesë më vonë," tha një zëdhënës i koalicionit në Twitter.

Nga ana e tij, Presidenti i Turqisë Tayip Erdogan tha në një konferencë shtypi se bëhej fjalë për pesë ushtarë amerikanë të vrarë. Ai tha se numri i përgjithshëm i të vrarëve ishte 20.

Zyrtarët lokalë dhe Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Britani thanë se shpërthimi tronditi qytetin verior Manbij të mërkurën, kur ushtarët po patrullonin pranë një restoranti në tregun kryesor të qytetit.

Zyrtarët thanë se nga shpërthimi u vranë shtatë civilë ndërsa u plagosën nëntë të tjerë.

Shteti Islamik tha se një luftëtar sirian shpërtheu jelekun e tij vetëvrasës pranë patrullës, duke vrarë apo plagosur nëntë ushtarë, përfshirë disa amerikanë.

Shtëpia e Bardhë reagoi për njoftimin:

"Presidenti është informuar plotësisht dhe ne do të vazhdojmë të monitorojmë situatën në vazhdim në Siri", tha sekretarja e shtypit Sarah Sanders.

Presidenti Donald Trump bëri thirrje për tërheqjen e forcave amerikane nga Siria muajin e kaluar, duke thënë se ISIS-i ishte mundur.

Pentagoni konfirmoi të premten se kishte filluar tërheqjen e disa pajisjeve nga Siria si pjesë e tërheqjes së përgjithshme, por se rreth 2,000 forca amerikane do të mbeten në vend derisa kushtet në terren të lejojnë që ata të largohen.

Dhjetëra forca amerikane janë të bazuara shumë afër qytetit Manbij, një pikë e nxehtë midis milicive kurde të mbështetura nga SHBA dhe Turqisë.

Milicia kryesore kurde në Siri, YPG ka qenë një komponent kyç i luftës së mbështetur nga SHBA kundër ISIS-it. Por Ankaraja e sheh YPG-në si organizatë terroriste me lidhje me kurdët në Turqi./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat