Egjipti zbulon 40 mumie, besohet se janë mbi 2 mijë vjet të vjetra

Azia

Egjipti zbulon 40 mumie, besohet se janë mbi 2 mijë vjet të vjetra

Më: 3 shkurt 2019 Në ora: 10:34
Pamje të piramidës së Gizës dhe qytetit të Kajros.

Egjipti thotë se ka zbuluar rreth 40 mumie që besohet se janë mbi 2 mijë vjet të vjetra. Mumiet janë zbuluar në një seri dhomash të varrimit në provincën Minya në jug të Kajros.

Zyrtarët thonë se varreza ku janë gjetur këto mumie mund të datojë që nga epoka Ptolemaike, që është më e vjetër sesa epoka Romake dhe Bizantine.

“Varreza përbëhet nga një numër dhomash të varrimit, që kanë një numër të madh të mumieve njerëzore, të gjinive dhe moshave të ndryshme, përfshirë edhe fëmijë”, tha Ministria për Antikitete e Egjiptit.

“Që të gjitha (mumiet) janë në gjendje të mirë dhe disa janë të mbështjella me çarçaf dhe kanë shkrime dekoruese”, njoftoi ministria.

Arkeologu Rami Rasmi i tha agjencisë së lajmeve AFP se 12 fëmijë dhe gjashtë kafshë janë në mesin e 40 mumieve të zbuluara. Të tjerët janë burra dhe gra të moshave madhore.

Në këtë varrezë po ashtu janë gjetur edhe artefakte të tjera si enë nga qeramika dhe papiruse.

Varrezat në Minya ishin zbuluar gjatë gërmimeve që nisën në shkurtin e vitit 2018. Ministria për Antikitete tha se kjo zonë përmbante varreza që me gjasë “i përkasin një familjeje të vogël borgjeze”.

Egjipti muajt e fundit ka njoftuar për një seri gjetjesh antike dhe zyrtarët shpresojnë se këto zbulime do të ndihmojnë në ringjalljen e industrisë së turizmit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat