Zarif: Politika e jashtme e Iranit është "helmuar" nga konfliktet e brendshme

Azia

Zarif: Politika e jashtme e Iranit është "helmuar" nga konfliktet e brendshme

Më: 26 shkurt 2019 Në ora: 21:14
Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif ka thënë se diplomacia e Iranit është duke u “helmuar” nga konfliktet e brendshme politike, një ditë pasi ka ofruar dorëheqjen nga pozita që ka aktualisht.

Ai i ka bërë këto komente në një intervistë për një gazetë, të cilën e ka realizuar para se të njoftonte se do të jepte dorëheqje.

Ai ka kërkuar falje për të gjitha “mangësitë” që mund t’i ketë pasur.

Grupet e linjës së ashpër në Iran, e kanë kritikuar vazhdimisht Zarifin për rolin e tij në negociatat për arritjen e marrëveshjes bërthamore, që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

Presidenti iranian, Hassan Rouhani ende nuk ka pranuar zyrtarisht dorëheqjen e tij.

Rohani mandje as nuk ka përmendur njoftimin e Zarifit në një fjalim televiziv, që ka bërë ditën e martë, mirëpo ka falënderuar atë për “rezistencën” dhe “kapacitetin”.

“Nëse ministria jonë e Jashtme është duke bërë diçka, është për shkak të njerëzve dhe përfaqësimit të njerëzve”, ka thënë presidenti.

“Qeveria, në përgjithësi, është zgjedhur nga njerëzit”.

Rohani po ashtu ka përmendur se presidenti sirian, Bashar al-Assad ka “falënderuar në veçanti” ministrinë e Jashtme iraniane për ndihmën që i ka dhënë ky shtet Sirisë gjatë luftës civile.

Të martën, një pjesë e madhe e ligjvënësve i kanë nisur një letër presidentit iranian, duke i kërkuar që Zarif të vazhdojë të mbajë këtë pozitë.

Zarif në anën tjetër ka njoftuar të hënën se do të hapë dorëheqje, mirëpo nuk ka dhënë detaje pse ka marrë këtë vendim.

“Kërkoj falje që nuk mund të vazhdoj të jem më në këtë pozitë, si dhe për mangësitë në këtë kohë”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social, Instagram.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat