Koreja e Veriut rindërton vendin e nisjes së raketave, thonë vëzhguesit

Azia

Koreja e Veriut rindërton vendin e nisjes së raketave, thonë vëzhguesit

Më: 6 mars 2019 Në ora: 13:12
Stacioni Sohae për lansimin e raketave në Tongchang të Koresë së Veriut. Fotografi nga arkivi.

Imazhet e reja satelitore tregojnë se Koreja e Veriut po rindërton vendin për lëshimin e raketave, thonë vëzhguesit.

Imazhet u morën disa ditë pasi bisedimet midis presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un përfunduan pa u arritur një marrëveshje për denekluarizimin e Koresë Veriore, njofton BBC.

Provat satelitore të disa organizatave amerikane tregojnë përparim të shpejtë në rindërtimin e strukturave në bllokun e lëshimit të raketave Sohae në Tongchang.

Sohae ka qenë struktura kryesore e nisjes së satelitit të Koresë së Veriut që nga viti 2012. Ajo gjithashtu është përdorur për testimin e motorëve për raketat e afta për të arritur në SHBA.

Fillimisht, agjencitë e inteligjencës së Koresë Jugore njoftuan për aktivitete të dyshimta të Koresë së Veriut, sa i përket programit të saj bërthamor.

Agjencitë thanë se Koreja e Veriut po restauron pjesë të vendit për lëshimin e raketave në Tongchang, ka njoftuar agjencia e lajmeve Yonhap.

Sipas këtyre informacioneve, Koreja e Veriut po vë në objekt një çati dhe një derë.

Agjencia Kombëtare për Inteligjencë e Koresë së Jugut tha gjithashtu se “të njëjtat informacione i posedojnë edhe Shtetet e Bashkuara”.

Ndërkohë, SHBA-ja ka paralajmëruar se Koreja e Veriut mund të përballet me më shumë sanksione, nëse Pheniani nuk do të marrë hapa për denekluarizim.

Këshilltari i presidentit të SHBA-së, Donald Trump për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, tha se Shtetet e Bashkuara do të konsiderojnë vendosjen e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut nëse Pheniani nuk heq dorë nga programi i armëve bërthamore.

Bolton tha për Fox Business Network se Uashingtoni, pas Samitit të Vietnamit do të monitorojë nëse Pheniani është e angazhuar të heqë dorë nga programi bërthamor.

Samiti i javës së kaluar ndërmjet presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë Veriore Kim Jong-un, dështoi pasi Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar kërkesat e verikoreanëve për të hequr sanksionet ndaj shtetit të tyre.

“Ka pasur të bëjë me sanksionet”, ka thënë Trump në një konferencë për media. Ata kanë kërkuar që sanksionet të hiqen në tërësi dhe ne nuk mund ta bëjmë atë”, shtoi ai.

“Ndonjëherë duhet të largoheni dhe ky ka qenë një nga ato raste”, ka thënë Trump.

Megjithatë, dy liderët është thënë të kenë pasur diskutime përmbajtësore sikurse në samitin e parë, të mbajtur në qershor të vitit të kaluar në Singapor.

Megjithatë ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut, Ri Yong Ho tha se delegacioni i tyre ka kërkuar që vetëm një pjesë e sanksioneve të hiqen dhe jo të gjitha./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat