India sërish thirrje Pakistanit për veprime kundër militantëve

Azia

India sërish thirrje Pakistanit për veprime kundër militantëve

Më: 9 mars 2019 Në ora: 21:07
Pakistani tha këtë javë se kishte arrestuar dhjetra anëtarë të organizatave të ndaluara

Disa ditë pasi India dhe Pakistani u tërhoqën nga një përplasje e rrezikshme, Nju Delhi përsëriti thirrjet ndaj Islamabadit për të ndërmarrë hapa konkretë kundër grupeve militante edhe pse autoritetet indiane u shprehën skeptike se kjo gjë do të ndodhë.

Pakistani tha këtë javë se kishte arrestuar dhjetra anëtarë të organizatave të ndaluara, përfshirë dy të afërm të ngushtë të udhëheqësit të grupit Jaish-e-Mohammad. India ka fajësuar këtë grupim për një bombardim vdekjeprurës muajin e kaluar në Kashmirin që kontrollohet prej saj. Autoritetet thanë se kanë vendosur kontrollin dhe ndaj disa institucioneve arsimore të drejtuara nga grupe islamike të jashtëligjshme, si pjesë e një përpjekje mbarëkombëtare kundër terrorizmit.

Por kjo nuk duket ta ketë kënaqur Indinë, e cila akuzon Pakistanin për strehimin dhe fshehjen e grupeve militante islamike që kryejnë sulme në Indi, gjë të cilën Islamabadi e mohon.

Në një konferencë shtypi të shtunën, një zëdhënës i ministrisë së jashtme indiane tha se Pakistani nuk ka treguar ndonjë "qëllim serioz" për të adresuar shqetësimet legjitime të Indisë dhe të bashkësisë ndërkombëtare.

Analistët thonë se India dëshiron të ruajë presionin botëror ndaj Pakistanit në mënyrë që të veprojë kundër grupeve militante islamike. Duke iu referuar sulmeve ajrore indiane në Pakistan, sulmi më në brendësi të vendit në rreth 50 vjet, një ish-zyrtar i lartë i zbulimit indian dhe ekspert i sigurisë Jayadeva Ranade thotë se "ai ishte një hap që u morr pas një shqyrtimi të thellë dhe se ata duan të kenë rezultate"./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat