Pakistani do të vendosë gardh në kufirin me Iranin

Azia

Pakistani do të vendosë gardh në kufirin me Iranin

Më: 20 mars 2019 Në ora: 12:00
Bajwa tha se vendosja e gardhit do të përmirësojë ekonominë dhe tregtinë legale mes dy vendeve fqinje

Gjenerali pakistanez, Asim Saleem Bajwa, tha se Pakistani do të vendosë gardh në kufirin me Iranin, në përpjekje për të ndaluar lëvizjet ndërkufitare të militantëve dhe kontrabandën.

Sipas mediave lokale, në një seminar në qytetin Quetta gjenerali Bajwa, që udhëheq komandën jugore të ushtrisë pakistaneze, ku përfshihet edhe provinca jugperëndimore Balochistan, tha se vendosja e gardhit do të fillojë nga java e ardhshme dhe kjo do të ndihmojë në parandalimin e terrorizmit dhe kontrabandës.

Bajwa tha se vendosja e gardhit gjithashtu do të përmirësojë ekonominë dhe tregtinë legale mes dy vendeve fqinje.

Irani për një kohë të gjatë akuzon Pakistanin për mosveprim ndaj grupeve militante, të cilat kanë ndërmarrë disa sulme terroriste në provincën kufitare Sistan-Balochistan. Pakistani i ka hedhur poshtë këto akuza.

Në shkurt, një sulmues vetëvrasës vrau 27 pjesëtarë të Gardës Revolucionare të Iranit në Sistan-Balochistan, duke nxitur tensione diplomatike mes dy vendeve.

Kjo masë erdhi pas vendosjes së gardhit në kufirin e Pakistanit me Afganistanin e shkatërruar nga lufta, që u përcoll me zemërim nga Kabuli përskaj përleshjeve në kufi mes dy vendeve në të kaluarën e afërt.

Gjenerali Bajwa gjithashtu ka thënë se Pakistani tashmë ka vendosur gardh në gjatësi prej 370 kilometrave në kufirin mes Pakistanit dhe Afganistanit, në pjesën që njihet si Linja Durand, për të ndaluar lëvizjet ndërkufitare të militantëve.

Afganistani nuk e njeh Linjën Durand, një kufi të gjatë 2.640 kilometra, i cili u vendos në vitin 1893 sipas marrëveshjes mes Indisë që ishte nën sundimin kolonial britanik dhe Abdur Rahman Khan, udhëheqësit të atëhershëm të Afganistanit.

Përkundër kësaj, kjo shihet si një aneksim i “Afganistanit të Madh” nga britanikët, para krijimit të Pakistanit dhe Indisë në vitin 1947.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat