Nursultan, emri i ri i kryeqytetit të Kazakistanit

Azia

Nursultan, emri i ri i kryeqytetit të Kazakistanit

Më: 20 mars 2019 Në ora: 19:51
Rezidenca presidenciale në Kazakistan

Kazakistani ka ndryshuar emrin e kryeqytetit të tij nga Astana në Nursultan si shenjë nderimi për liderin në shkuarje, Nursultan Nazarbayev, i cili ka dhënë dorëheqje papritur ditën e martë.

Ky ndryshim është bërë i ditur pasi Kassym-Jomart Tokayev është betuar si president, duke u zotuar se do të kërkojë mendimin e paraardhësit të tij për vendime kyçe.

Nazarbayev, 78 vjeçar, ka shërbyer 30 vjet si lider i këtij shteti.

Ndërkohë, vajza e tij e madhe është emëruar kryetare e Dhomës së Lartë të parlamentit.

Emërimi i Dariga Nazarbayeva në pozitën e dytë më të lartë në këtë shtet ka ngritur pyetje nëse ajo do të jetë pasaardhësja e babait të saj në të ardhmen.

Babai i saj, që është udhëheqës i partisë në pushtet, do të vazhdojë të jetë në krye të Këshillit për Siguri në këtë shtet dhe do të mbajë titullin, Lider i Kombit.

Megjithatë, analistët kanë thënë se ende është shumë herët për të treguar se kush do të garojë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Astana, që nënkupton “kryesor” në gjuhën kazake, është bërë kryeqytet i Kazakistanit më 1997.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat