Familjet e luftëtarëve të huaj në Siri

Azia

Familjet e luftëtarëve të huaj në Siri

Më: 6 prill 2019 Në ora: 22:26
Siri

Kreu i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq po u kërkon vendeve që kanë qytetarët e tyre në një kamp sirian për familjet e luftëtarëve të huaj, që të mos i braktisin ata dhe të punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje praktike.

Korrespondetja e Zërit të Amerikës Margaret Besheer bisedoi me zotin Peter Maurer rreth nevojës për të mos braktisur mijëra gratë dhe fëmijët që gjenden në kampin sirian.

Kampi al-Hol në verilindje të Sirisë pranë kufirit me Irakun ka një kapacitet për rreth 5 mijë njerëz. Por aktualisht është i tejmbushur me mbi 80 mijë, kryesisht gra dhe fëmijë.

Shumica e tyre janë pjestarë të familjeve të luftëtarëve të grupit terrorist Shteti Islamik. Ata filluan të mbërrijnë në kamp në dhjetor pas intesifikimit të betejës për çlirimin e xhepave të fundit nën kontrollin e terroristëve në Siri.

Drejtuesi i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Peter Mauer, u takua kohët e fundit me familjet në kamp.

“Situata në kamp është jashtëzakonisht e vështirë. Në kamp janë strehuar shumë njerëz dhe është e vështirë të ofrohen sherbimet bazë si ushqimi, strehimi, shërbimet mjekësore, uji apo shërbimet sanitare. Organizatat humanitare dhe në veçanti administrata lokale janë të mbingarkuara. Kemi bërë çmos për të shtuar ndihmën tonë humanitare,” tha ai.

Shumica janë sirianë dhe irakianë, por rreth 10 mijë njerëz janë shtetas të huaj që vendet e tyre nuk i pranojnë. Organizatat humanitare janë sidomos të shqetësuara për mijëra fëmijë. Disa qindra fëmijë nuk kanë asnjë të rritur që të kujdeset për ta.

“Dy të tretat e fëmijëve në kampin al-Hol janë nën 12 vjeç. E vetmja eksperiencë e tyre është jera nën Shtetin Islamik, jeta në kampe. Është e rëndësishme që këto vende të pranojnë këta fëmijë dhe t’u japin një perspektivë, në veçanti ata fëmijë që nuk asnjë prind që të kujdeset për ta.”

Zoti Mauret shton se riatdhesimi i fëmijëve, kryesisht i atyre të pashoqëruar, është përparësi për organizatën që kryeson. Ndërsa disa vende kanë pranuar një numër të madh fëmjësh dhe grash, disa vende të tjera ngurrojnë.

“I kuptoj vështirësitë. U bëj thirrje të gjitha vendeve që kanë shtetasit e tyre në këto kampe, të mos u bëhen barrë autoriteteve lokale, autoriteteve irakiane dhe autoriteteve lokale kurde. U bëj thirrje të kujdesen për ta dhe të gjejnë një zgjidhje të situatës,” tha zoti Maurer.

Në konfliktet e tjera të fundit, si në Afganistan dhe Irak, edhe pse pati luftëtarë të huaj, ata nuk sollën familjet e tyre vete.

Komuniteti ndërkombëtar duhet të bashkojë si vullnetin politik ashtu edhe financat për të gjetur dhe zbatuar një zgjidhje të drejtë dhe ligjore. Deri sa të arrihet kjo, mijëra njerëz mbeten në harresë në kampin al-Hol./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat