Tablo e përzierë e nismës "Një Brez, Një Rrugë"

Azia

Tablo e përzierë e nismës "Një Brez, Një Rrugë"

Më: 12 prill 2019 Në ora: 20:31
Kina ka njoftuar se ka bindur Malajzinë që të rifillojë një projekt më parë të anulluar hekurudhoR

Në një lëvizje të befasishme, Kina ka njoftuar se ka bindur Malajzinë që të rifillojë një projekt më parë të anulluar hekurudhor, me vlerë 10.7 miliardë dollarë. Ndryshimi i qendrimit të Kuala Lumpurit, do të forcojë pozitën e Kinës para një forumi të nismës Një Brez Një Rrugë që do të mbahen në Pekin nga 25 deri më 27 prill, thonë analistët.

Në forum pritet të marrin pjesë krerët e shteteve dhe qeverive të 40 vendeve dhe zyrtarë nga 60 të tjera, ndërsa Pekini përpiqet të sigurojë më shumë mbështetje për planin një trilion dollarësh të infrastrukturës dhe investimeve, të njohur si nisma Një Brez Një Rrugë, ose BRI.

Muajt e fundit, nisma është përballur me sfida të mëdha ndërsa Sierra Leone, Bangladeshi, Mianmari dhe Malajzia anuluan ose reduktuan sasinë e marrëveshjeve të negociuara më parë. Megjithëse Malajzia I është rikthyer marrëveshjes, ajo e detyroi Kinën të pranonte një ulje 30 për qind të çmimit të projektit.

Kina ka hasur kritika lidhur me koston e projekteve dhe ekspertët dhe udhëheqës të qeverive në gjithë botën, kanë shprehur shqetësim se projektet nuk janë gjë tjetër veçse kurthe borxhesh diplomatike.

“Mendoj se Kina po përpiqet të bëjë ndryshime, por po përpiqet të bëjë shumë për një kohë shumë të shkurtër, ndërkohë që të gjitha priten me skepticizëm. Nuk është habi që po has kaq probleme”, thotë Kerry Brown, drejtor i Institutit Lau China në Kolegjin King të Londrës.

Analistët thonë se pavarësisht nga kritikat për planin, BRI-ja ka tërhequr dhjetra qeveri të huaja dhe është mbështetur nga institucione si Banka Botërore, sepse po ofron të ndërtojë infrastrukturë dhe të ndimojë me përballimin e kostos.

“Arsyeja që shumë vende kanë interes tek BRI-ja, është se Kina po ofron diçka që nuk e ka ofruar askush tjetër dhe ka një interesim të vërtetë për atë që përfaqëson BRI-ja”, thotë Paul Haenle, drejtor i Qendrës Carnegie-Tsinghua për Politika Globale në Pekin.

Kritikët e shohin BRI-në si një përpjekje të Kinës për të imponuar imperializëm financiar ndaj vende të dobëta ekonomikisht dhe por me pozicion gjeografik strategjik. Shumë kanë kritikuar gjithashtu mungesën e transparencës.

Megjithatë së fundmi ka pasur shenja se Kina po e modifikon programin për t’ia përshtatur nevojave të klientëve. Italia së fundmi iu bashkua BRI-së pasi Presidenti kinez Xi Jinping i dha Romës garancitë që kërkonte.

Ka ende pyetje serioze lidhur me llojin e ndryshimeve që Pekini është I gatshëm të bëjë.

“Pekini mund t’i bëjë kushtet e marrëveshjeve publike, gjë që do të ishte një shenjë e madhe ndryshimi, por nuk ka tregues që kjo do të ndodhë së shpejti”, tha Jonathan Hillman, drejtor i Projektit për Rilidhjen e Azisë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.

Ka pasur probleme edhe në vende kur projektet kineze kanë rezultuar të suksesshme përsa i takon zbatimit. Për shembull, kompanitë kineze kanë siguruar suksesin tregëtar të qytetit port grek, Pireut.

“Por ndikimi i tij politik është i përzier. Grekët mund ta mirëpresin investimin kinez por nuk duan praktikat mjedisore ose të punës së Kinës”, thotë zoti Hillman. Ndërkohë Shtetet e Bashkuara së fundmi e kanë përshkruat BRI-në si një “projekt vanitoz” dhe njoftuan se nuk do të dërgojnë një delegacion të nivelit të lartë në forum./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat