Udhëheqësi koreano-verior me paralajmërim për SHBA

Azia

Udhëheqësi koreano-verior me paralajmërim për SHBA

Më: 13 prill 2019 Në ora: 17:25
Udhëheqësi koreano-verior Kim Jong Un

Udhëheqësi koreano-verior Kim Jong Un thotë se do t’u japë Shteteve të Bashkuara afat deri në fund të vitit të ndërmarrin “veprime të guximshme” lidhur me negociatat e ngecura bërthamore, por ai paralajmëron se do të ketë “pasoja të frikshme dhe shumë të rrezikshme” nëse Uashingtoni nuk ndryshon qëndrim.

Në një fjalim para parlamentit të vendit, zoti Kim tha se është i hapur për “një takim tjetër” me Presidentin Donald Trump, por vetëm nëse Shtetet e Bashkuara ndryshojnë qëndrimin e tyre, siç njofton media shtetërore e Koresë së Veriut.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut tha se ai vazhdon të ketë “marrëdhënie të shkëlqyera” me presidentin amerikan. Por shtoi se takimi i Hanoit ngriti dyshime mbi vlerën e bisedimeve me Uashingtonin dhe seriozitetin e administratës amerikane për të arritur sukses në negociata.

Këtë javë Presidenti Trump tha se po shqyrton mundësinë e një takimi tjetër me udhëheqësin e Koresë së Veriut, por këmbënguli se nuk do të lehtësohen sanksionet ndaj këtij vendi komunist, deri kur regjimi i Phenianit të heqë dorë nga arsenali bërthamor.

Bisedimet mes dy vendeve kanë ngecur që pas takimit të nivelit të lartë mes dy udhëheqësve në Hanoi, i cili përfundoi pa marrëveshje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat