Forumi kinez "Brezi dhe Rruga" tubon dhjetra udhëheqës shtetesh në Pekin

Azia

Forumi kinez "Brezi dhe Rruga" tubon dhjetra udhëheqës shtetesh në Pekin

Më: 25 prill 2019 Në ora: 16:12
Presidenti rus arrin në Pekin

Liderë të dhjetra vendeve kanë arritur në Pekin për të marrë pjesë në forumin “Brezi dhe Rruga” që mbahet prej 25 deri më 27 prill.

Iniciativa 1 trilion dollarëshe e Kinës synon ndërtimin e rrugëve, porteve, hekurudhave dhe infrastrukturës energjetike që do ta lidhte Kinën me Evropën, Afrikën dhe pjesë të Azisë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kritikuar projektin e Kinës dhe huadhënien e saj duke paralajmëruar se ajo ka zhytur disa vende të zhvilluara në borxhe të cilat më pas nuk do të mund t'i paguajnë.

Rusia, Pakistani dhe Italia janë ndër vendet që kanë nënshkruar iniciativën kineze. Italia bën pjesë në grupin e shtatë vendeve më të industrializuara që njihet si G7.

Gjermania dhe Franca si anëtare të BE-së përfaqësohet në këtë forum në nivel të ministrave përderisa Shtetet e Bashkuara nuk kanë dërguar asnjë përfaqësues.

"Ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve që të sigurohen se iniciativat e diplomacies ekonomike u përmbahen normave dhe standardeve të pranuara ndërkombëtarisht, nxisin një zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës, sidhe avancojnë qeverisjen e mirë dhe institucionet ekonomike", tha një zëdhënës i ambasadës amerikane në Pekin.

Krerët e 37 vendeve të ndryshme të botës e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në forum. Presidenti rus, Vladimir Putin tashmë ka arritur në Pekin. Ndërkaq presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, zhvilloi të enjten një takim me presidentin e Kinës, Xi Jinping.

Që kur presidenti i Kinës Xi Jinping shpalli iniciativën në vitin 2013, Kina ka investuar rreth 90 miliardë dollarë projekte në vende të ndryshme përderisa bankat kineze kanë dhënë hua rreth 200 miliardë dollarë për qeveritë e huaja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat