Një zëdhënës i ushtrisë së Sri-Lankës ka njoftuar se janë gjetur trupat e 20 njerëzve, përfshirë gjashtë fëmijë, pas një nate të ashpër luftimesh mes trupave ushtarake dhe disa personave të dyshuar për kryerjen e sulmeve të javës së kaluar. Në këto luftime u vranë edhe katër militantë.
Shkëmbimi i zjarrit mes ushtarëve dhe militantëve të dyshuar islamikë filloi të premten në mbrëmje në Ampara, e cila gjenden në jug të Batticaloas, vendi ku ndodhën shpërthimet në hotele dhe kisha.
Zëdhënësi i ushtrisë, Sumith Atapattu, tha se trupat qëlluan me armë në momentin kur tentuan të hyjnë në një shtëpi. “Dy njerëz të armatosur u vranë gjatë kundërpërgjigjes sonë me të shtëna”, tha ai duke shtuar se gjatë këtyre luftimeve u vra edhe një civil.
Operacioni i përbashkët i policisë dhe ushtrisë u krye pasi u mor vesh që personat përgjegjës për sulmet e Pashkëve po qëndronin të fshehur në një zonë që ndodhet 370 kilometra në lindje të kryeqytetit.
Policia njoftoi se në vendin ku ndodhën luftimet kanë gjetur një flamur të ISIS-it dhe uniforma të ngjashme me ato të personave që kishin publikuar një video, në të cilën bëhej thirrje për kryerje të sulmeve, shkruan “The Guardian”.