Vazhdon gjendja e rëndë e shtypit në Kinë

Azia

Vazhdon gjendja e rëndë e shtypit në Kinë

Më: 3 maj 2019 Në ora: 21:33
Kinë

Shpresa për një shtyp të lirë ka qenë prej kohësh një aspiratë e parealizuar në Kinë dhe perspektiva është bërë gjithnjë e më e rëndë nën kontrollin e rreptë të udhëheqësit kinez Xi Jinping.

Gjatë vitit të kaluar, autoritetet kineze kanë rritur përdorimin e teknologjisë dhe kanë intensifikuar përpjekjet për të penguar aksesin ndaj lajmeve, opinioneve dhe informacionit, madje edhe në platformat e mediave sociale të bllokuara në Kinë, të tilla si Twitteri.

Për këtë qëllim, qeveria ka ngritur atë që quhet Muri i Madh Ndalues i Kinës.

Në ekonominë e dytë më të madhe në botë, mijëra faqe të internetit janë bllokuar, duke përfshirë Facebook, Gmail, Google, Instagram, dhe madje Pinterest. Faqet e internetit të tilla si Zëri i Amerikës në gjuhët anglisht dhe kineze, BBC-ja, New York Times, Bloomberg dhe të tjera, nuk lejohen.

Me shtrëngimin e kontrollit mbi mediat sociale, Twitteri është bërë platforma ku një pjesë e njerëzve ndajnë informacione dhe lexojnë më shumë rreth ngjarjeve botërore.

Muajt e fundit, megjithatë, individë të ndryshëm, si studiues apo avokatë të të drejtave, madje edhe njerëz me shumë pak pasues, janë detyruar të fshijnë postimet dhe në disa raste t’i mbyllin përgjithmonë llogaritë e tyre.

Avokatët e të drejtave thonë se që nga fundi i vitit të kaluar dhjetra njerëz janë thirrur nga autoritetet dhe u është thënë të heqin dorë përndryshe do të përballen me burg. Disa prej tyre thjesht sepse kanë bërë re-tweet ose kanë pëlqyer postimet.

Veprimet e autoriteteve janë pjesë e masave për shtrëngimin e kontrollit mbi lirinë e shprehjes nën presidentin kinez Xi Jinping. Është një shtrëngim që ka ndodhur në mënyrë graduale: nga bllokimi i faqeve të huaja të internetit tek trysnia ndaj operatorëve të faqeve brenda vendit apo ndaj organizatorëve të bisedave në grup në mediat sociale kineze./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat