Kishat e Sri-Lankës hapen për meshën e parë pas sulmeve

Azia

Kishat e Sri-Lankës hapen për meshën e parë pas sulmeve

Më: 12 maj 2019 Në ora: 14:26
Sri-Lankë

Besimtarët katolikë të qyteteve Kolombo dhe Negombo të Sri-Lankës, të cilat u goditën nga sulmet e përgjakshme me bomba muajin e kaluar, kanë marrë pjesë sot në meshën e parë pas këtyre shpërthimeve. Në disa sulme ishin vrarë më shumë se 250 njerëz.

Policia bëri rojë në hyrjen e kishës “Saint Lucia” të Kolombos, një nga kishat më të mëdha në këtë shtet. Ajo ishte e mbushur me besimtarë, përfshirë shumë prej atyre që kanë humbur familjarë në shpërthimet e 21 prillit, përgjegjësinë për të cilat e mori i ashtuquajturi Shteti Islamik.

Njerëzit që morën pjesë në këto mesha u kontrolluan në hollësi nga policia. Ata nuk kishin të drejtë të bartin çanta dhe rrugët ishin të bllokuara nga ushtarët dhe policët. Pjesëtarë të maskuar të forcave të sigurisë u panë gjithashtu duke patrulluar me motoçikleta.

Nxënësit që ndjekin mësimin në shkolla publike u kthyen në bankat shkollore javën e kaluar. Kampuset ruheshin nga policia dhe nga prindërit u kërkua që çantat e fëmijëve t’i zëvendësojnë me qese të tejdukshme. Megjithatë, shumë fëmijë dhe studentë po mungojnë.

Ndërkaq, shkollat katolike private, të cilat kanë qenë të mbyllura nga data e sulmeve, pritet të hapen të martën e ardhshme.

Në qytetet kryesore të vendit ende vërehet prani e madhe e policisë dhe ushtrisë. Forcat e sigurisë po vazhdojnë kërkimet për personat e dyshuar që e organizuan dhe kryen një ndër sulmet më të përgjakshme në histori të këtij shteti, shkruan “The Guardian”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat