Modi në rrugë të mirë për t’i fituar zgjedhjet në Indi

Azia

Modi në rrugë të mirë për t’i fituar zgjedhjet në Indi

Më: 20 maj 2019 Në ora: 10:25
Modi

Sipas anketave të fundit, të cilat janë publikuar pas përfundimit zyrtar të procesit të votimit, kryeministri i Indisë dhe aleatët e tij janë në rrugë të mirë për ta fituar edhe një mandat në krye të qeverisë së vendit të dytë në botë për numrin më të madh të popullsisë.

Të dhënat e publikuara nga gjashtë organizata që merren me anketa tregojnë se partia BJP e Modit dhe koalicioni i saj do t’i fitojë nga 287 deri 336 ulëse në kuvend. Numri i ulëseve dallon varësisht sipas organizatorëve të anketave, por secila prej tyre dëshmon se ky koalicion do t’i fitojë më shumë se 272 ulëse që nevojiten për ta formuar qeverinë.

Sipas këtyre parashikimeve, partia “Kongresi”, e cila është kundërshtarja më e madhe e partisë në pushtet, pritet t’i fitojë 124 deri 142 ulëse. Analistët thanë se partia e Modit ka mundur të përfitojë në këto zgjedhje nga mungesa e vullnetit të disa votuesve për të marrë pjesë në proces, sidomos në zonat e banuara me pakica.

Këto rezultate u kundërshtuan nga Mamata Banerjee, rivale e Modit dhe shefe e ministrave të Bengalit Perëndimor. “Unë nuk besoj në anketa. Kërkoj nga të gjitha partitë opozitare të qëndrojnë të bashkuara dhe të forta. Do ta fitojmë këtë betejë së bashku”, tha ajo.

Pakicat e Indisë, veçanërisht myslimanët, të cilët përbëjnë rreth 14 për qind të popullsisë prej 1.3 miliardë banorësh, e kanë kritikuar agjendën e Modit gjatë fushatës. Partia e tij e ka përkrahur një projektligj që do ta lehtësonte dëbimin e miliona bangladeshasve nga India, shkruan “The Guardian”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat