Rebelët huthi shënjestrojnë një aeroport saudit

Azia

Rebelët huthi shënjestrojnë një aeroport saudit

Më: 24 qershor 2019 Në ora: 09:06
Rebelët huthi në Jemen, foto nga arkivi.

Lëvizja e rebelëve huthi në Jemen ka nisur sulm në një aeroport të civilëve në Arabinë Saudite, duke vrarë një person dhe duke plagosur 21 të tjerë, ka thënë koalicioni i drejtuar nga sauditët, që lufton këtë grup.

Një zëdhënës i rebelëve huthi, ka thënë se rebelët e mbështetur nga Irani, kanë shënjestruar aeroportet, Abha dhe Jizan, në veri të mbretërisë, duke kryer sulme me dronë.

Koalicioni nuk ka konfirmuar sulmin në Jizan, mirëpo ka thënë se sulmi në Aeroportin Abha, ka rezultuar me vdekjen e një siriani, që ka jetuar në Arabinë Saudite.

Ende nuk është bërë e ditur se çfarë armë janë përdorur në sulm, i cili ka ndodhur në kohën e rritjes së tensioneve në mes të Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, bashkë me aleatët sunitë në Gjirin Persik.

Më herët gjatë këtij muaji, një raketë e rebelëve huthi ka goditur Aeroportin Abha, duke plagosur 26 persona.

Qeveria e Jemenit, e mbështetur nga Arabia Saudite dhe aleatët e saj ushtarakë, ka luftuar rebelët huthi nga viti 2015.Rreth 10,000 persona janë vrarë dhe 14 milionë banorë të Jemenit, janë përballur me uri, prej kur ka nisur konflikti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat