32 mijë policë në gatishmëri për G20-ën

Azia

32 mijë policë në gatishmëri për G20-ën

Më: 27 qershor 2019 Në ora: 23:08
Udhëheqësit e ekonomive kryesore në botë pritet të jenë të pranishëm në Japoni në samitin G20

Policia japoneze ka ndërmarrë masa të rrepta sigurie në qytetin Osaka, me nisjen e samitit të G20-ës, ku do të marrin pjesë liderët më të fuqishëm të globit.

Udhëheqësit e ekonomive kryesore në botë pritet të jenë sot të pranishëm në Japoni në samitin G20, i cili paraqet platformën kryesore të bashkëpunimit ekonomik global.

Për mbarëvajtjen e samitit dyditor, policia japoneze në Osaka ka ngritur masat e sigurisë në nivelin më të lartë. Përveç udhëheqësve të ekonomive botërore, në samit pritet të marrin pjesë rreth 30 000 të ftuar ndërsa për sigurinë janë angazhuar 32 000 policë.

Një numër i madh i efektivëve të policisë mund të vërehen veçanërisht përreth qendrës së kongresit INTEX në Osaka, ku do të mbahet samiti.

Policia ndaloi përdorimin e dronëve.

Masat e sigurisë janë gjithashtu të pranishme edhe në aeroportin Kansai të Osaka-s dhe në të gjithë qytetin gjithashtu mund të shihen barriera hekuri rreth parkimit të qytetit.

Gjatë Samitit, pritet të organizohen protesta nga aktivistë për të drejtat e njeriut, aktivistët e mjedisit dhe grupeve kundër luftës.

Samiti i G-20 është një forum i qeverive dhe bankave qendrore të 20 ekonomive kryesore në botë, përfshirë Bashkimin Europian dhe 19 vende – Argjentinën, Australinë, Brazilin, Kanadanë, Kinën, Francën, Gjermaninë, Indinë, Indonezinë, Italinë, Japoninë, Korenë e Jugut, Meksikën, Rusinë, Arabinë Saudite, Afrikën e Jugut, Turqinë, Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat