Në kundërshtim me rezolutën e OKB-së, Korea e Veriut lëshon 2 raketa balistike

Azia

Në kundërshtim me rezolutën e OKB-së, Korea e Veriut lëshon 2 raketa balistike

Më: 26 korrik 2019 Në ora: 06:08
Ilustrim

Testi i armëve nuk vjen papritur: manovra e ardhshme e Koresë së Jugut me SHBA e ka zemëruar shumë Veriun komunist. Në Uashington, megjithatë, provokimi lejohet të kalojë.

“Ne jemi të ndërgjegjshëm për shkrehjen e raketave me rreze të shkurtër veprimi nga Koreja e Veriut”, tha një zyrtar i qeverisë amerikane lidhur me testet e para të armëve, që në qershor, kur Presidenti Donald Trump u takua me pushtetmbajtësin Kim Jong Un.

Në Tokio, u shprehën në mënyrë më emocionale: Ministri i Mbrojtjes i Japonisë Takeshi Iwaya tha se testi ishte “jashtëzakonisht për të ardhur keq”. Rezolutat e OKB-së e ndalojnë Korenë e Veriut – e cila ka testuar në mënyrë të përsëritur bomba atomike – që të lëshojë raketa balistike me rreze të shkurtër, të mesme dhe të gjatë veprimi.

Koreja e Veriut shkrehu dy raketa me rreze të shkurtër veprimi, sipas të dhënave të Koresë së Jugut. Raketa e parë fluturoi rreth 430 kilometra dhe pastaj pati rënë në Detin e Lindjes, tha një përfaqësues i Shtabit të Përgjithshëm të Koresë së Jugut. Predha e dytë fluturoi rreth 690 kilometra. Deti i Lindjes – i njohur edhe si Deti Japonez – ndodhet midis Gadishullit Korean dhe Japonisë. Ujërat territoriale japoneze nuk u shkelën nga raketat.

Raketë e një lloji të ri?

SHBA dhe Koreja e Jugut tani duan të hetojnë së bashku se për çfarë lloj raketash bëhej fjalë. Sipas shërbimeve të fshehta të Koresë së Jugut dhe SHBA-së, predha me rreze më të gjatë ishte një tip raketash e “brezit të ri ” të panjohur deri tani. Koreja e Veriut pati testuar së fundi në fund të majit dy raketa me rreze të shkurtër veprimi. Presidenti amerikan Trump tërhoqi atëherë vëmendjen për rrezen e shkurtër të veprimit të predhave dhe theksoi se teste të tilla nuk mund ta shkatërrojnë marrëdhënien e tij të besimit me Kim-in.

Në një takim në fund të qershorit në zonën e çmilitarizuar midis dy shteteve koreane, Trumpi dhe Kimi patën rënë dakord të rifillojnë bisedimet mbi çarmatimin bërthamor të Koresë së Veriut. Testet e armëve të reja në Korenë e Jugut interpretohen edhe si një shenjë e pakënaqësisë së udhëheqjes komuniste të Phenianit për manovrat e reja ushtarake të SHBA me Korenë e Jugut, të planifikuara për në muajin gusht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat