India e ndalon me ligj divorcin e menjëhershëm të myslimanëve

Azia

India e ndalon me ligj divorcin e menjëhershëm të myslimanëve

Më: 30 korrik 2019 Në ora: 19:26
Ilustrim

Ligjvënësit indianë, të martën, miratuan një projekt-ligj që i jep fund praktikës myslimane të divorcit të menjëhershëm, dy vjet pasi Gjykata Supreme vendosi se ajo shkelte të drejtat kushtetuese të grave myslimane.

Ministri i ligjit, Ravi Shankar Prasad, tha se miratimi i projekt-ligjit nga dhoma e sipërme e Parlamentit, pasqyron fuqizimin e grave, dhe është në vazhdën e ndryshimit të profilit të Indisë.

Dhoma e ulët e parlamentit e miratoi projekt-ligjin javën e kaluar.

Ligji do të hyjë në fuqi pas nënshkrimit nga presidenti i Indisë, që është më shumë një akt formal.

Si ndodhte divorci i shpejtë në mesin e myslimanëve?

Shumica e 170 milionë mylimanëve në Indi janë Sunnitë të qeverisur nga Ligji Personal Mysliman për çështje familjare.

Ligji u ka lejuar burrave myslimanë, që të divorcohen nga gratë e tyre, duke thënë tre herë “Talaq” – fjalë arabe për divorc – dhe jo domosdoshmërisht me radhë, por në çdo kohë, dhe nga çdo mjet komunikimi, përfshirë telefonin, mesazhe përmes tekstit ose postime në rrjete sociale.

Më shumë se 20 vende, duke përfshirë Pakistanin fqinj dhe Bangladeshin, e kanë ndaluar këtë praktikë.

Opozita e bllokoi projektligjin për më shumë se një vit, pasi partisë në pushtet i mungonte mbështetja e shumicës në dhomën e sipërme. Ghulam Nabi Azad, një drejtues i partisë së Kongresit Kombëtar, tha se opozita ishte kundër një klauzole që parashikonte burg tre vjeçar, për burrin që ndahet nga gruaja e tij në një mënyrë të tillë, duke argumentuar se asnjë fe tjetër nuk ka një ndëshkim të tillë.

Opozita gjithashtu tha që projekt-ligji nuk ishte i qartë sa i përket mbështetjes së bashkëshorteve, nëse burrat burgoseshin për shkak të divorcit të menjëhershëm.

Të dyja dhomat e Parlamentit hodhën poshtë qëndrimin e opozitës, dhe gjithashtu refuzuan ta referojnë projekt-ligjin në një komitet parlamentar për të shqyrtuar ato dispozita.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat