Rajoni indian ka kusht interesant: Për të marrë leje për armë, duhet t’i mbillni 10 fidanë

Azia

Rajoni indian ka kusht interesant: Për të marrë leje për armë, duhet t’i mbillni 10 fidanë

Më: 31 korrik 2019 Në ora: 12:22
Foto ilustrim

Banorët e rajonit të Punjab-it në Indi, të cilët dëshirojnë të blejnë armë, do të përballen me një kërkesë mjaft të pazakontë nga autoritetet. Për ta siguruar lejen për armëmbajtje, ata duhet t’i mbjellin së paku 10 fidanë.

Aplikuesve për leje armësh u është kërkuar edhe dërgimi i fotografive si dëshmi për mbjelljen e bimëve. Përpos kësaj, ata duhet të dërgojnë përsëri fotografi pas një muaji për të dëshmuar se janë duke u kujdesur për fidanët e mbjellë.

“Njerëzit e këtij vendi janë të çmendur pas veturave të mëdha, telefonave dhe armëve, prandaj le të çmenden edhe pas bimëve”, tha Chander Gaind, zëvendëskomisioner i këtij rajoni.

Autoritetet kanë pranuar më shumë se 100 kërkesa që nga fillimi i zbatimit të kriterit të ri për leje të armëve. Banorët tashmë kanë nisur të mbjellin fidanë për t’i realizuar qëllimet e tyre për t’u pajisur me leje.

Rajoni verior i Punjab-it, i cili ishte përballur me përleshje të dhunshme në vitet e tetëdhjeta dhe nëntëdhjeta, ka një traditë të gjatë të mbajtjes së armëve. Në këtë rajon janë rreth 360 mijë njerëz që kanë leje për armëmbajtje.

Zëvendëskomisioneri Gaind shpreson që rregulli i ri të ndikojë në mbjelljen e 12 mijë fidanëve për çdo vit, shkruan “The Guardian”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat