Paralajmërim për demonstruesit në Hong Kong

Azia

Paralajmërim për demonstruesit në Hong Kong

Më: 13 gusht 2019 Në ora: 14:41
Demonstruesit në Hong Kong

Dita e dytë që aeroporti i Hong Kongut anulon fluturimet. Kryetarja e qeverisë së Hong-Kongut kritikoi të martën ashpër protestat e vazhdueshme e paralajmëroi për rreziqet që e kërcënojnë metropolin.

Protestat e çojnë Hong Kongun në "një rrugë pa kthim", tha kryetarja e qeverisë, Carrie Lam në një konferencë shtypi. Nëse dhuna e shkallëzuar në demonstrata nuk ulet, atëherë qytetin e kërcënojnë pasoja të rrezikshme, tha Lam që bëri thirrje për qetësi. "Mendoni një minutë, shikoni qytetin tonë, doni vërtet që të shikoni se si do shkojë në humnerë?, pyeti Carrie Lam. Sipas saj ka pasur "një sërë aktivitetesh ilegale në emër të lirisë".

Më parë qeveria kineze kishte deklaruar, se në demonstratat e vazhdueshme prej javësh janë vënë re "embrione të terrorizmit". Kjo ka rritur shqetësimet, se forcat e sigurisë shpejt mund të ndërhyjnë më ashpër.

Image
Carrie Lam

Carrie Lam mbron policinë

Kryetarja e qeverisë së Hong Kongut, Carrie Lam ka dalë demonstrativisht në mbrojtje të forcave të policisë. Policia në dy muajt e fundit ka pasur "vështirësi të mëdha të zbatojë ligjin". Fundjavën e kaluar në Hong Kong ka pasur përplasje të forta mes demonstruesve dhe policisë. Policia vuri në përdorim shkopinjtë, gazin lotsjellës, kurse ata protestues të gatshëm për dhunë hodhën gurë. Qeveria dhe policia janë në gjendje të zgjidhin krizën tha Lam.

Shkak i fillimit të protestave në Hong Kong ishte një ligj, ndërkohë i pezulluar për ekstradimin e mundshëm të kriminelëve të dyshuar në Kinë. Ndërkohë demonstruesit kërkojnë më shumë. Shumë kanë frikë nga rritja e influencës së Pekinit në metropolin financiar dhe kërkojnë reforma demokratike. Kryetaren e qeverisë, Lam ata e akuzojnë për afërsi të madhe me udhëheqjen kineze. Ndërkohë sërish aeroporti i Hong Kongut, një nyje e rëndësishme e qarkullimit ajror në Azi ka anuluar një numër të madh fluturimesh të martën./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat