Përleshje mes policisë dhe protestuesve në aeroportin e Hong Kongut

Azia

Përleshje mes policisë dhe protestuesve në aeroportin e Hong Kongut

Më: 14 gusht 2019 Në ora: 07:15
Hong Kong

Në aeroportin ndërkombëtar të Hong Kongut Policia u përplas me demonstruesit pro-demokracisë të martën mbrëma, ndërkohë që fluturimet u anuluan për të dytën ditë me radhë.

Protestuesit morën nën kontroll përsëri terminalin kryesor të objektit, duke u përplasur herë pas here me policinë e cila përdori shkopinjtë.

Një person u lëndua gjatë përplasjeve në aeroport.

Një kontigjent i policisë kundër trazirave përdori spërkatëse me piper për të shpërndarë protestuesit ndërsa ata përpiqeshin të bllokonin një ambulancë që po largonte personin e lënduar. Policia arrestoi të paktën dy vetë.

Autoriteti i aeroportit të Hong Kongut tha se operacionet në terminale kishin "pësuar çrregullime serioze".

Protestat e dy ditëve të fundit janë pjesë e 10 javëve demonstrata nga banorët e Hong Kongut kundër asaj që ata e shohin si mohim të lirive dhe mungesë autonomie në territorin nën kontrollin kinez.

Misioni i Kinës në Kombet e Bashkuara tha se protestuesit shkatërruan objekte publike, paralizuan aeroportin, bllokuan transportin publik dhe përdorën armë vdekjeprurëse, "duke shfaqur prirje për t’u mbështetur tek terrorizmi".

Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut Michelle Bachelet u bëri thirrje autoriteteve të Hong Kongut të ushtrojnë përmbajtje dhe të hetojnë nëse forcat e tyre përdorën ndaj protestuesve gaz lotsjellës në mënyra që janë të ndaluara sipas ligjit ndërkombëtar.

Presidenti amerikan Donald Trump, i cili javën e kaluar mbajti një qëndrim të distancuar ndaj protestave, u tha gazetarëve se në Hong Kong "është një situatë shumë e vështirë. Ne do të shohim se çfarë do të ndodhë, por jam i sigurt se gjërat do të zgjidhen... "Ai shprehu shpresën se askush nuk do të lëndohet dhe “për liri”.

"Shpresoj që të ketë zgjidhje për të gjithë, përfshirë Kinën," tha Presidenti Trump.

Protestat e tanishme janë sfida më e madhe për qeverisjen kineze të këtij territori gjysmë-autonom që kur iu dorëzua nga Britania në vitin 1997. Mediat shtetërore publikuan video të forcave të sigurisë që mblidheshin përtej kufirit, në Kinën kontinentale.

Mbyllja e paprecedent e njërit prej aeroporteve më të ngarkuar të botës erdhi si shtrirje e protestave në rrugë që kanë përfshirë këtë territor kinez prej më shumë se dy muajsh.

Të hënën, dhjetra protestues u plagosën, pasi policia përdori gaz lotsjellës dhe municion jo-vdekjeprurës kur protestuesit bllokuan rrugët dhe kundërshtuan urdhrat e policisë për t'u shpërndarë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat