Hong Kong: Protestat tërheqin përfaqësues të shtresave të ndryshme - Bota Sot
Hong Kong: Protestat tërheqin përfaqësues të shtresave të ndryshme

Azia

Hong Kong: Protestat tërheqin përfaqësues të shtresave të ndryshme

Më: 22 gusht 2019 Në ora: 23:49
Në Hong Kong protestat vazhdojnë

Në Hong Kong protestat vazhdojnë, herë paqësore, herë të ndezura. Aktivistët po përdorin strategji nga më të ndryshmet për t’i mëshuar mesazhit të tyre pro demokracisë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mike O’Sullivan ka përgatitur materialin:

Protesta në një stacion metroje që dje çoi në një ballafaqim me forcat e rendit, kishte mbledhur një larmi njerëzish:

“Jam bashkuar me protestuesit e tjerë në Hong Kong. Na lidh vetëdija se ka nevojë për ndryshim. Shumica e popullit të Hong Kongut, të paktën 60% janë me pikëpamje demokratike,” thotë një protestues.

Dje u mobilizuan edhe studentët, disa me thirrjet për bojkotimin e shkollës në shtator:

“Shpresojmë se kjo mënyrë mobilizimi është më e mirë për të shmangur sulmet e policisë dhe gangsterëve. Mendoj se kur studentët hidhen në grevë, marrin frymëzim edhe punëtorët që të hidhen në grevë,” thotë një aktivist.

Ka nga ata që kanë frikë se Hong Kongu do të humbasë statusin e tij special:

“Nëse njerëzit nuk mbështesin njeri-tjetrin tani, do të vijnë në krye komunistët. Ata po përpiqen ta bashkojnë Hong Kongun me Kinën, nuk duan dy sisteme,” thotë një përkrahës i protestuesve.

Dje u zhvillua një demonstratë e vogël para konsullatës britanike me thirrjet që autoritetet e Pekinit të lironin një punonjës të konsullatës që ishte kapur në Kinë. Ata thonë se ky incident është një tjetër dëshmi e përpjekjeve të Kinës për të shtrirë autoritetin e saj:

“Kjo është bërë çështje globale. Mendoj se Britania duhet ta ngrejë më shumë zërin për këtë problem,” thotë një protestues.

Njerëzit kërkojnë të mbrohet statusi i veçantë i Hong Kongut. Ata lënë komente mbi Murin e Lennonit, i pagëzuar me këtë emër në nderim të artistit John Lennon.

“Nuk mendoj se qeveria ka për të bërë gjë. Do të rrinë pasivë. Është për të ardhur keq që nuk ka mbështetur asnjë nga pesë kërkesat që sheh në Murin e Lennonit. Nuk mendoj se situata do të qetësohet së shpejti,” thotë ligjvënësi Fernando Cheung. Protestuesit thonë se do të vazhdojnë me çdo mënyrë përpjekjet për të përhapur mesazhin e tyre./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...