Televizioni rus ngatërron keq hartat e Japonisë dhe Koresë Jugore

Azia

Televizioni rus ngatërron keq hartat e Japonisë dhe Koresë Jugore

Më: 24 gusht 2019 Në ora: 08:49
Ilustrim

Televizioni rus i lajmeve, RT, ka kërkuar falje për një ngatërrim të hartës së Zelandës së Re, të cilën e ka përshkruar si hartë të Japonisë, ndërsa hartën e Papua Guinesë së Re e ka emërtuar si Kore Jugore.

Gabimi u bë nga selia e tyre në Shtetet e Bashkuara dhe lajmi kishte të bënte me bazat e reja raketore në Japoni, Kore Jugore dhe Australi. Sidoqoftë, në hartën e paraqitur në ekran, vetëm Australia ishte e emërtuar në pjesën e duhur të globit.

Ky është një nga lëshimet e shumta ku përfshihen gabimet me hartën e Zelandës së Re. Ky shtet shpesh nuk figuron fare në harta, gjë që e kishte nxitur kryeministren zelandeze të merrte pjesë në një protestë kundër kësaj dukurie vitin e kaluar.

Një zëdhënës i televizionit rus tha për një faqe zelandeze të lajmeve se gabimi ishte i paqëllim. “Ekipi ynë i lajmeve të mëngjesit bëri një gabim gjeografik. E përmirësuam atë sapo e pamë dhe jemi siguruar që një gjë e tillë të mos ndodhë më”, tha ai.

Zelanda e Re, shtet me 4.7 milionë banorë, shpesh lihet jashtë hartës së Oqeanisë, duke bërë që institucionet përgjegjëse për turizëm të nisin fushata kundër këtyre lëshimeve, shkruan “The Guardian”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat